Gjykata e Mitrovicës e dënon me 350 euro gjobë të akuzuarin për armëmbajtje pa leje

pio
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Tetor 16, 2020

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, e ka dënuar me 350 euro gjobë të pandehurin Avdullah Sokoli, për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Gjobën i pandehuri është i obliguar ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me aktgjykim, të njëjtit i është konfiskuar edhe arma “Ekol Voltra Tuna”, një karikator dhe tre fishek.

Po ashtu, ai është obliguar që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 20 euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro si dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.

Këtë dënim e ka shpallur gjykatësi Bekim Veliqi, pasi paraprakisht i pandehuri seancën e shqyrtimit fillestar e ka pranuar fajësinë, me rastin e leximit të aktakuzës nga prokurorja Fetije Bajrami-Shala.

Gjykatësi Veliqi gjithashtu e ka njoftuar të akuzuarin me të drejtën në ankesë brenda afatit ligjor.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 3 shtator 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avdullah Sokoli, duke e ngarkuar me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, me 27 dhjetor 2016, në shtëpinë e tij në rrugën “Arsim Muzaqi”, në Vushtrri, kishte poseduar armën e llojit e shkurtër “Ekol Voltra Tuna”, një karikator dhe tre fishek cal.6.35 mm, të së njëjtës armë ashtu që gjatë bastisjes së shtëpisë së të pandehurit nga ana e policisë së Kosovës, tek i njëjti janë gjetur arma e lartcekur një karikator dhe tre fishek të cilat më pastaj janë konfiskuar nga ana e policisë. /BetimipërDrejtësi