Gjykata e Mitrovicës e dënon me 300 euro gjobë të akuzuarin për armëmbajtje pa leje

gfggrstgrtgw
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Shtator 11, 2020

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, e ka dënuar me 300 euro gjobë të pandehurin Xhavit Basholli, për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Gjobën i pandehuri është i obliguar ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit

Me aktgjykim, të njëjtit i është konfiskuar edhe arma “TT”, një karikator dhe katër fishek, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, ai është obliguar që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 20 euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro si dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.

Këtë dënim e ka shpallur gjykatësi Avni Mehmeti, pasi paraprakisht i pandehuri seancën e shqyrtimit fillestar e ka pranuar fajësinë, me rastin e leximit të aktakuzës nga prokurorja Fetije Bajrami-Shala.

Gjykatësi Mehmeti gjithashtu e ka njoftuar të akuzuarin me të drejtën në ankesë brenda afatit ligjor.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 14 korrik 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Xhavit Bashollit,  duke e ngarkuar me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Basholli, prej vitit 1999 e deri me 21 maj 2019, në shtëpinë e tij në fshatin Samadrexhë në Vushtrri, kishte poseduar armën – pistoletën e markës “TT”, një karikator dhe katër fishekë. /BetimipërDrejtësi