Gjykata e Klinës vazhdon punën me staf të reduktuar, nuk është mbajtur asnjë rast i natyrës urgjente

Gjykata ne Kline
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Mars 25, 2020

Klinë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë, që nga java e kaluar nuk është mbajtur asnjë seancë e natyrës urgjente.

Madje, për shkak të masave për mbrojtje nga epidemia, në këtë gjykatë nuk po pranohen as shkresat.

Sipas një prononcimi për “Betimin për Drejtësi”, gjyqtari mbikëqyrës i kësaj dege, Prek Palushi ka thënë që janë duke e respektuar vendimin e Këshillit Gjyqësorë të Kosovës (KGJK) dhe  janë duke punuar me staf të reduktuar, kurse seanca të natyrës urgjente nuk janë mbajtur që nga java e kaluar.

I njëjti theksoi që objekti i kësaj gjykate është dezinfektuar gjatë javës së kaluar.

“Objektin e kemi dezinfektuar javën e kaluar, pasi që ne kemi kërkuar nga shtabi emergjent i Komunës së Klinës dhe pastaj ata na e kanë dezinfektuar”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket pranimit të shkresave, gjyqtari Palushi ka thënë që në këtë degë parashtresat e qytetarëve dhe avokatëve nuk janë duke u pranuar.

“Shkresat nuk pranohen, por vetëm kur kemi diçka, post-shpërndarësi shkon direkt në Gjykatën Themelore në Pejë, e ne nuk pranojmë shkresa”, ka thënë Palushi.

Ndryshe, pas konfirmimit të rasteve të para pozitive me koronavirus në Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)  kishte marrë vendim për reduktimin e të gjitha aktiviteteve në kuadër të KGJK-së dhe atyre të Gjykatave të Kosovës.

Përmes një njoftimi, KGJK kishte bërë të ditur se kryetarët e gjykatave duhet të caktojnë  gjyqtarët dhe stafin administrativ të mjaftueshëm për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente.

Ky vendim ka hyrë në fuqi me 16 mars dhe masat e theksuara në këtë vendim do të vlejnë deri në një vendim të ri të KGJK-së./BetimipërDrejëtsi