Gjykata e detyron Komunën e Kamenicës që mirëmbajtësit të shkollës t’ia paguajë shujtat ditore dhe shpërblimin jubilar

86973720_826041701245437_1396075198259658752_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Nëntor 20, 2020

Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e mirëmbajtësit të shkollës, Basri Kryeziu.

Kjo gjykatë e ka detyruar Komunën e Kamenicës, përkatësisht Drejtorinë Komunale të Arsimit, që paditësit t’ia paguajë kompensimin e shujtave ditore për periudhën kohore 18 prill 2017 deri më 30 dhjetor 2019, në shumë prej 1,234 euro, si dhe shpërblimin jubilar për 20 vite përvojë pune në shumë prej 209.10 euro, e që shuma e përgjithshme kap vlerën prej 1,443.10 euro.

Sipas aktgjykimit të 13 nëntorit të këtij viti, gjykata e ka detyruar të paditurën, që ajo paditësit t’ia kompensojë edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 269 euro, në afat prej shtatë ditësh nga marrja e aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit.

Kundër këtij aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Artan Abazi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afatin prej shtatë ditësh në Gjykatën e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëmbajtësi i shkollës Basri Kryeziu, më 23 dhjetor 2019, ka ushtruar padi ndaj Komunës së Kamenicës, përkatësisht Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, me arsyetimin se ai është në marrëdhënie pune me kohë të caktuar për periudhën një vjeçare në institucionin arsimor Sh.M.L.M “Sejdi Kryeziu” në Rogaçicë, në pozitën punëtor-ndihmës (pastrues), e cila marrëdhënie e punës i është vazhduar për çdo vjet, dhe atë nga 9 shtator 2017, ndërsa më 1 shtator 2019, ka themeluar marrëdhënie pune me afat të pacaktuar në pozitën e njëjtë.

Sipas padisë, e paditura nuk ka bërë kompensimin e ushqimit ditorë në lartësi prej dy euro, dhe atë prej 18 prillit 2017 deri më 30 dhjetor 2019, ashtu siç e parasheh Kontrata Kolektive e Arsimit, si dhe kompensimin e shpërblimit jubilar.

Paditësi kishte kërkuar nga gjykata që të aprovohet në tërësi kërkesëpadia e tij, si dhe të obligohet e paditura, Komuna e Kamenicës – Drejtoria Komunale për Arsim, që atij t’i  kompensojë ushqimin gjatë ditëve të punës në vlerë prej 1.234 euro, dhe në emër të shpërblimit jubilar për 20 vite përvojë pune prej 75% të pagës, në vlerë prej 209.10 euro, si dhe kamatën ligjore në lartësi prej 8%, sipas LMD-së, e cila do të llogaritet nga data e parashtrimit të kësaj padie në gjykatë, deri në pagesën definitive të saj në afat prej shtatë ditësh, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë nën kërcënimin e përmbarimit ligjor. /BetimipërDrejtësi