Gjykata e detyron Komunën e Kamenicës që ish-mësimdhënësit t’ia paguajë një pagë jubilare

53112125_2208771715846528_8316285883221278720_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shkurt 12, 2020

Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e ish-mësimdhënësit të gjuhës frënge, Hysen Basha.

Kjo gjykatë, e ka detyruar Komunën e Kamenicës, përkatësisht Drejtorinë Komunale të Arsimit, që paditësit t’ia kompensojë një pagë në emër të shpërblimit jubilar, në shumë prej 479.83 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të 13 janarit të këtij viti, gjykata e ka detyruar të paditurën, që ajo paditësit t’ia kompensojë edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 98 euro, në afat prej 15 ditësh nga marrja e aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit.

Kundër këtij aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Besnik Pireva, palët e pakënaqura kishin të drejtën e tyre në ankesë në afatin prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit, mirëpo pasi ato këtë nuk e kishin bërë, tashmë gjykata më 31 janar 2020, vendimin e ka bërë të plotfuqishëm.

Ish-mësimdhënësi Hysen Basha, më 25 nëntor 2019, ka ushtruar padi ndaj Komunës së Kamenicës, përkatësisht Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, me arsyetimin se ai ka qenë në marrëdhënie pune tek e paditura si mësimdhënës, me mbi 30 vjet përvojë pune, deri më 9 tetor 2019, kur edhe është pensionuar.

Gjithnjë sipas padisë, më 9 tetor  2019, e paditura ka marrë vendim për pagimin e tri pagave përcjellëse në shumë prej 1,614 euro, dhe një page jubilare në shumë prej 421 euro, por me rastin e pagesës në bankën “NLB”, e paditura i ka paguar vetëm pagat përcjellëse dhe nuk i ka kompensuar pagën jubilare.

Tutje, në padi thuhet se duke u bazuar në nenin 35 paragrafi 8 pika 8.3 të Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë, të 18 prillit 2017, në të cilën parashihet se punonjësi i arsimit, i cili është anëtar i SBAShK-ut, me rastin e pensionimit për përvojë pune mbi 30 vjet i takon një pagë jubilare në shumë prej 100%.

Paditësi kishte kërkuar nga gjykata që të aprovohet në tërësi kërkesëpadia e tij, si dhe të obligohet e paditura, Komuna e Kamenicës – Drejtoria Komunale për Arsim, që atij t’ia kompensojë në emër të shpërblimit të një page jubilare, në shumen prej 100% të pagës, t’ia paguajë gjithsejtë 479.83 euro, si dhe kamatën ligjore në lartësi prej 8%, sipas LMD-së, e cila do të llogaritet nga data e parashtrimit të kësaj padie në gjykatë, deri në pagesën definitive të saj në afat prej 15 ditësh, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë nën kërcënimin e përmbarimit ligjor. /BetimipërDrejtësi