Gjykata e dënon me 500 euro avokatin Gëzim Kollqaku për mungesë pa arsye, shtyhet seanca për korrupsion

Raporton: Belkize LOSHAJ

Pejë – Seanca gjyqësore e paraparë të mbahet të premten në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj Shemsedin Sadikut, i akuzuar  për “ushtrim të ndikimit” është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit  mbrojtës, Gëzim Kollqaku.

Kryetari i trupit gjykues Sami Sharaxhiu, më të filluar seanca, konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për vazhdimin e seancës, pasi në shqyrtim mungoi avokati i të akuzuarit Gëzim Kollqaku edhe pse ishte njoftuar në mënyrë  të rregullt. Për këtë mungesë pa arsye, gjykatësi Sharaxhiu dënoi avokatin Kollqaku me gjobë prej 500 eurove. Sipas tij, nëse avokati nuk e paguan gjobën brenda 30 ditëve, dënimi do t’i konvertohet me burgim efektiv prej 25 ditëve.

Gjyqtari e arsyetoi dënimin ndaj të njëjtit ngase avokati Kollaqku edhe në shqyrtimin e më hershëm të mbajtur më 19 gusht 16 nuk ka qenë prezent dhe për këtë nuk e ka njoftuar gjykatën.

Seanca e radhës parashihet më 17 tetor 2016, në ora 10:30.

Ky rast zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur në vitin 2015, ku akuzohet Shemsedin Sadiku, për shkak se si doganier ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit” tek kolegët e tij Ganimete Salihi dhe Fisnik Koshi.

Sipas prokurorisë, Sadiku kishte kërkuar 2000 euro ryshfet nga Fadil Zhabollaj në mënyrë që të ndikoj tek kolegët për të mos i shqiptuar gjobë për tri automjetet të hasura në autoparking, të cilat në ketë rast ishin të pa doganuara.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë