Pala e dëmtuar kërkon rritje të dënimit për vrasësin e Zejnepe Berishës (Video)

Raporton: Leotrim GASHI

Prishtinë – Pa përfaqësuesin e Prokurorisë së Apelit, i cili nuk ka prezentuar në sallë, është mbajtur seanca e shqyrtimit të ankesave të palëve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, e cila kishte dënuar Nebih Berishën me 12 vjet e gjysmë burgim, për vrasje të bashkëshortes dhe lëndimin e vajzës së tij.

Përfaqësuesja e familjes së dëmtuar, avokatja Fehmije Gashi Bytyqi, në seancën e së premtes, ka deklaruar se mungesa e prokurorit është lëshim shumë i madh dhe sipas saj, kjo tregon për seriozitetin e organit të akuzës për këtë rast.

Avokatja Gashi Bytyqi, ka thënë se dënimi i shkallës së parë është shumë i ultë, me ç’rast ka kërkuar dënim më të madh, pasi sipas saj, vrasja e Zejnepe Berishës është mizore.

“Nuk ka pasur përputhje të ekspertëve të psikiatrisë. Është vepër e rëndë penale. Për këtë vepër parashihet edhe dënimi me burgim të përjetshëm. Cila është përgjegjësia e zvogëluar. Ka bërë 24 therje. Kjo është vrasje mizore edhe nuk e di a është bërë në ndonjë vend të botës dhe ai shpëtoi me një dënim të tillë. Ka pas vrasje të grave edhe më herët, por jo në këtë mënyrë”, ka deklaruar avokatja, Gashi Bytyqi.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Esat Gutaj, ka deklaruar se prokuroria dhe gjykata nuk janë lëshuar në provat shfajësuese, por vetëm në ato rënduese.

Ai ka shtuar se nëse klienti i tij duhet të dënohet, pasi që siç tha, atij i janë bërë ekzaminime psikiatrike.

“Çka e shtyri atë në një ngjarje shumë të rëndë. Nuk janë administruar të gjitha provat që i kam prezantuar. A duhet të dënohet N.B pas një ekzaminimi psikiatrik që e kanë vërtetuar se i njëjti në kohën e kryerjes penale nuk ka qenë i vetëdijshëm për shkaktimin e pasojës. Edhe sot është me medikamente. Ky ka nevojë për trajtim neuropsikiatrik, jo burg”, ka thënë mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Esat Gutaj.

Ai ka shtuar se klienti i tij, i cili gjendet në qendrën e paraburgimit në Prizren, dy herë ka tentuar të bëj vetëvrasje, por që sipas tij, nuk është përmend as nga prokurori as nga trupi gjykues.

Ndryshe, Nebih Berisha, i akuzuar për vrasje të bashkëshortes dhe lëndimin e vajzës së tij është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren, me 12 vjet e gjashtë muaj burgim.

Sipas aktgjykimit të kësaj gjykate Berisha është gjetur fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe lëndimit të lehtë trupor.

Për vrasjen është dënuar me 12 vite burgim, ndërsa për lëndim të lehtë trupor është dënuar me 1 vit burgim. Me këtë rast i ishte shqiptuar dënimi unik prej 12 vitesh e gjashtë muaj.

Kryetari i trupit gjykues, Xhevdet Elshani kishte sqaruar se këtë vendim e kanë marrë duke u bazuar në provat materiale, dëgjimin e dëshmitarëve dhe sidomos në raportin psikiatrik, sipas të cilit, i akuzuari në momentin e kryerjes së veprës penale ka pasur aftësi mendore esencialisht të zvogëluar.

Ndryshe, pas këtij aktgjykimi, Rrjeti i Grave të Kosovës, kishte organizuar disa herë protesta për të kundërshtuar shkallën e dënimit, që sipas përfaqësuesve të këtij rrjeti, duhet të ishte më i madh.

Protestë, me kërkesën për shqiptimit e dënimit maksimal ndaj Nebih Berishës, ky rrjet ka organizuar edhe të premten, në kohën kur po mbahej seanca në Gjykatën e Apelit.

Nebih Berisha, akuzohej se për arsye xhelozie, ka vrarë bashkëshorten e tij, duke e goditur me thikë 21 herë. Po ashtu me këtë rast ka lënduar edhe vajzën e tij, e cila është mundur ta mbrojë nënën.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë