GJYKATA E APELIT RRIT DËNIMET NDAJ TË AKUZUARVE NË RASTIN “MEDICUS”, LIRON KLINIKËN E KONFISKUAR (DOKUMENT)

Raporton: Gita LUSHI

Prishtinë – Të akuzuarit në rastit “Medicus”  i kanë ditët e numëruara në liri, pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë tashmë ka shpallur aktgjykimin, i cili vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. “Betimi për Drejtësi”  ka siguruar kopjen e aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, i cili të shtunën iu është dorëzuar edhe palëve në procedurë. Përveç vërtetimit të fajësisë së të akuzuarëve, Gjykata ka vendosur të liroj objektet e Klinkës Medicus, të cilat mbaheshin të konfiskuara me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjykata e Apelit ka kthyer mbrapshtë objektet e Klinikës Medicus me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre ka rritje të dënimit deri në dy vjet.

Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë në prill të viti 2013, dënohet me 5 vjet burgim.

Arban Dervishi nuk ka të drejt ankese në aktgjykim, përderisa të drejtën e ankesës e ka Sokol Hajdinit.

Pas këtij vendimi, urologu Lutfi Dervishi i dënuar  nga shkalla e parë me 8 vjet burgim, djali i tij Arban Dervishi me 8 vjet burg si dhe anesteziologu Sogol Hajdini me 5 vjet burgim, pritet të vuajnë dënimin, i cili do të ekzekutohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ndërsa dënimi me gjobë mbetet i njëjti për të gjithë siç ishte marr nga Gjykata Themelore, ku Lutfi Dervishi ishte dënuar me 10.000 euro gjobë, ndërsa me nga 2.500 euro janë gjobitur Arban Dervishi dhe Sokol Hajdini.

denimet (1)

Në këtë aktgjykim, Apeli ia ka ndaluar ushtrimin e profesionit të urologut, Lutfi Dërvishit për 2 vjet, duke filluar nga dita e vuajtjes së plotë të dënimit me burgim, si dhe Sokol Hajdinit ndalimin  e profesionit të anesteziologut në kohë prej 1 viti që nga dita e vuajtjes së plotë të dënimit me burgim.

Ndryshe, vendim i Gjykatës Themelore për këtë rast kishte ardhur pas  mbajtjes së 106  seancave nga tetori i vitit 2011 kundër urologut, Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishit, mjekëve Driton Jilta, Sokol Hajdini, Sylejman Dulla e Islam Bytyqi si dhe ndaj ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj.

Përveç Lutfi Dervishit, djalit të tij, Arban Dervishi,  dhe Sokol Hajdinit me  nga 1 vit me kusht ishin dënuar edhe  anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla.

Ndërsa, ish-sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë,Ilir Rrecaj, ishte shpallur i pafajshëm, kurse Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi vepra për të cilën ai akuzohej ishte vjetërsuar.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë