Gjykata e Apelit pritet të vendos lidhur me masën e sigurisë të kryetarit të Istogut Haki Rugova

Haki-Rugova-e1516645707872-1200x630-1000x525-1-600x360
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Tetor 16, 2020

Pejë – Gjykata e Apelit pritet të vendos në lidhje me ankesën e mbrojtjes së Haki Rugovës pasi Gjykata e Pejës  ia ka caktuar masa e arrestit shtëpiak, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale korruptive.

Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Zhuti tha se mbrojtja e të pandehurit Rugova ka paraqitur ankesë kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe se ankesa tani është dorëzuar në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, me 11 tetor 2020, Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Pejë e ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Pejë, për caktimin e  masës së arrestit shtëpiak ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “konflikt i interesit”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”, si dhe ndaj nënkryetarit Lulzim Blakaj, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Të njëjtëve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, për të pandehurin F.B, i dyshuar se në bashkëkryerje me dy të lartpërmendurit kishte për të kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”, prokurori i shtetit në seancë hoqi dorë nga propozimi për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Lajmi u bë i ditur përmes komunikatës për media të gjykatës në fjalë.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës  ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit H.R dhe L.B kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri mund të ndikojnë tek zyrtaret Komunalë, por edhe tek dëshmitarët e tjerë në drejtim te fshehjes dhe ndryshimit të provave materiale e me këtë të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale. Gjithashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale dhe duke pas parasysh pasojat e rënda që kanë këto vepra penale për shoqërinë, përhapjen e tyre në masë shqetësuese si dhe faktin se i pandehuri H.R edhe më parë ka qenë i njohur për organet e drejtësisë për vepër penale konflikt interesi, tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme të të pandehurve ne liri, të njëjtit mund te përsërisin veprat penale apo të kryejnë ndonjë vepër të re penale”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, me 9 tetor 2020, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, është arrestuar kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Rugova është arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale të korrupsionit.

Bashkë me Rugovën, nën pranga janë vënë edhe nënkryetari i Komunës së Istogut, Lulzim Blakaj dhe një zyrtar tjetër.

Lajmin për arrestimin e të njëjtëve, për “Betimi për Drejtësi”, e kishte konfirmuar prokurorja kujdestare në Prokurorinë Themelore të Pejës, Valbona Dishaj-Haxhosaj.

“Po mund të ju konfirmoj se me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë është arrestuar Kryetari i Komunës së Istogut, nënkryetari i kësaj komune dhe një zyrtar tjetër. Të njëjtit janë arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale të korrupsionit” kishte thënë Dishaj-Haxhosaj për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Haki Rugova aktualisht është duke u gjykuar nga Gjykata e Pejës për veprën penale të konfliktit të interesit. /BetimipërDrejtësi