Gjykata e Apelit kthen për herë të tretë në rigjykim rastin ndaj biznesmenit nga Ferizaj

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Paneli prej tre gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit, rikthyer për gjykim, për herë të tretë, lëndën ndaj Qamil Hetemit, i cili tri herë është dënuar me 14 vite burgim, për vrasjen e bashkëshortes.

Gjykata e Apelit ka gjetur të bazuar ankesën e mbrojtësve të të akuzuarit Hetemi, avokatëve Mexhit Syla dhe Rexhep Hasani.

Ndërsa ankesën e Prokurorisw Themelore nw Prizren, përkitazi me rritjen e lartësisë së dënimit, e kanë hudhur si të palejuar.

Apeli ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me arsyetim se përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se ka kundërthënie në mes arsyetimit dhe shkresave të lëndës dhe nuk është vërtetuar plotësisht gjendja faktike.

Paneli i përbërë prej gjyqtarëve, Mejreme Memaj, Fillim Skoro dhe Have Haliti, kanë vlerësuar se nuk janë mënjanuar kundërthëniet në dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspertëve.

Gjykata e Apelit, poashtu ka gjetur se ka kundërthënie në mes ekspertëve sa i përket gjurmëve të barutit të gjetura në dorën e të pandehurit.

I pandehuri akuzohet se në shtator 2011, pas mosmarrëveshjeve me gruan e tij, ka qëlluar të njëjtën me armë zjarri, nga afërsia, duke i shkaktuar vdekjen.

Por i pandehuri, Qamil Hetemi dhe mbrojtja pretendojnë që e ndjera ka bërë vetëvrasje.

Dëshmitarja kryesore në këtë rast është vajza e të ndjerës dhe të pandehurit, e cila mbron versionin se nëna e saj ka bërë vetëvrasje.

Ky rast është gjykuar dy herë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, por në anulimin e aktgjykimit të dytë, Gjykata e Apelit, ka rekomanduar ndryshimin e trupit gjykues.

Në mungesë të trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj, rasti është caktuar të zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prizren.

Gjykata Themelore në Prizren, në shkurt të këtij viti, njëjtë si ajo në Ferizaj, ka gjetur fajtor të pandehurin, duke e dënuar me 14 vite burgim.

I akuzuari gjendet në paraburgim prej 12 prillit 2012 dhe do të vazhdojë të qëndrojë ende, sipas vendimit të fundit nga Apeli.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë