Gjykata e Apelit konstaton se Themelorja shkeli procedurat dhe nuk vërtetoi gjendjen faktike në gjykimin e kryetarit të Klinës

zenun elezaj
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Prill 30, 2021

Pejë – Katër muaj pas shpalljes së aktgjykimin dënues për konflikt interesi nga Gjykata e Pejës ndaj të kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, Gjykata e Apelit ka vendosur që çështjen të kthejë në rigjykim.

Kolegji i gjykatësve të Apelit, i kryesuar nga Tonka Berisha kanë konstatuar se vendimi i Gjykatës Themelore në Pejë ishte rezultat i shkeljeve procedurale dhe mungesë e vërtetimit të plotë gjendjes faktike.

Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni në fjalë kishte përzgjedhur të bijën e kryetarit si kandidaten më të suksesshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Apeli konstaton se dispozitivi i aktgjykimi të Gjykatës së Pejës ishte në kontradiktë me arsyet  të cilat Gjykata e Pejës i kishte dhënë në arsyetimin e saj dhe kishte mungesë të arsyetimit të fakteve vendimtare.

Kundërthënia sipas Apelit ekzistonte kur Gjykata e Pejës kishte arsyetuar se i akuzuari Elezaj nuk kishte ndërmarrë veprime për të shmangur konfliktin e interesit edhe pse këtë ka mundur të bëntë në çdo kohë para përfundimit të procedurës së rekrutimit.

E për këtë arsyetim  nga Gjykata e Pejës, Apeli thekson se nuk parashihej në dispozitivin e aktgjykimit të Gjykatës së Pejës e as në përshkrimin faktik të aktakuzës ndaj Elezaj.

“Nga kjo rrjedh paqartësia dhe dykuptimësia se cili është qëndrimi juridik i gjykatës për veprimet inkriminuese të akuzuarit, ajo çka jepet në arsyet e dhëna në arsyetim nuk është në linjë dhe nuk korrespondon me përshkrimin faktik të këtyre veprimeve në dispozitiv të aktgjykimit, pasi që arsyet kalojnë në veprime të akuzuarit cilat cilësohen si inkriminuese, por që nuk janë përfshirë në pjesën e  dispozitivit  të aktgjykimit.”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Apeli ka sqaruar se dispozitivi i aktgjykimit duhet me qenë në përputhje të plotë me arsyetimin e aktgjykimit.

Në kuadër të shkeljeve esenciale, Apeli ka vënë në pah se arsyet e aktgjykimit fajësues ndaj Elezaj nuk ishin bindëse dhe të mjaftueshme për të nxjerrë përfundimet e ekzistimit të dashjes direkte për kryerjen e veprës penale të konfliktit të interesit.

“Me rastin e formimit të komisionit për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies se punës përkatësisht marrjes së vendimit, a kishte vepruar i akuzuari me dashje, duke qenë në dijeni se vajza e tij ishte një prej aplikantëve, se prej cilave rrethanave konkrete gjykata arrijnë në përfundimin se i akuzuari dinte këtë fakt”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Apeli shton se kishte munguar një analizë e argumenteve lidhur me faktet vendimtare të veprës penale të konfliktit të interesit.

Sipas Apelit, Gjykata e Pejës nuk kishte arsyetuar se përse i akuzuari Elezaj në fillim të procesit të rekrutimit ishte në konflikt interesi, përse vendimi për formimin e komisionit sjell formimin e tipareve të konfliktit të interesit, se veprimet e të akuzuarit Elezaj, a konsideroheshin formë tjetër të përgjegjësisë jopenale dhe se vendimi për formimin e komisionit a ishte momentum të konsiderohet se vajza e tij kishte interes financiar,

Sa i përket mos vërtetimit të plotë të gjendjes faktike, Apeli ka theksuar se duhet të sqarohet më shumë deklarata e dëshmitarit Besim Hoti i cili kishte deklaruar se kishte biseduar me të pandehurin Elezaj, ku ky i fundit kishte shprehur interes për punësim të vajzës së tij,

“Kolegji e vlerëson se një deklarim i tillë ka nevojë për t’u sqaruar më saktësisht në  rrethanat e mëposhtme: në aspektin kohor të përcaktohet kur është bërë kjo bisedë, se a aludohet pikërisht për vajzën e të akuzuarit Marigona Elezaj (sipas ankesës së mbrojtësit i akuzuari i ka dy vajza), a ka të bëjë në lidhje me pozitën mjeke e praktikës së përgjithshme në QKMF Klinë sipas konkursit të publikuar me datë 02.02.2018”, thekson Apeli.

Çështje relevante në këtë rast, sipas Apelit është nëse i akuzuari e ka ditur se vajza e tij ka aplikuar në momentin e formimit të komisionit nga i pandehuri Elezaj.

Dhe për të vërtetuar këto fakte, Apeli ka udhëzuar të konstatohet në rigjykim të sqarohen procedurat standard nga Njësia e Burimeve Njerëzore me rastin përgatitjes dhe formimit të komisonit për rekrutim dhe dërgimit për aprovim tek kryetari.

“Specifikisht të sqarohen rrethanat  poshtëshënuara: a)  dërgohet tek kryetari i komunës vetëm akti për nënshkrim; b) dërgohet edhe lista e aplikantëve; c) dërgohet  akti dhe aplikacionet e aplikantëve. Prandaj  është e rëndësishme të kuptohet se si është vepruar në rastin konkret, në këtë kontekst aktualisht rrethanat e tilla kanë mbetur të pasqaruara, dhe fakti vendimtar gjegjësisht dashja mbetet e paprovuar në mënyrë bindëse”, udhëzon Apeli.

Apeli poashtu nuk është pajtuar me Gjykatën e Pejës kur kishte konstatuar se si ishte e mundur që i akuzuari që ushtron detyrën e Kryetarit të mos dijë se vajza e tij të ketë aplikuar në komunën ku ushtron funksionin e kryetarit dhe se ishin ditur aplikuesit pas mbylljet se konkursit.

“Kolegji nuk ndan pikëpamjen e njëjtë me përfundimet e dhëna  për të vërtetuar dijeninë e të akuzuarit “se pasi ishte mbyllur konkursi ishin ditur “aplikantët”, një vlerësim i tillë nuk gjen mbështetje në ndonjë dëshmi a provë, si dhe nuk është as konkluzioni i vetëm i arsyeshëm i nxjerrë nga tërësia e fakteve dhe provave, por është supozim dhe pa ndonjë arsyetim se si janë  ditur apo kanë mundur të dihen aplikantët nga i akuzuari”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Sipas Apelit konstatimi i Gjykatës së Pejës për  dijeninë e Elezaj ishte manifestim i provave rrethanore, të cilat duhet të ketë probabilitet të lartë të fajësisë dhe që përjashtojnë çfarëdo konkluzioni tjetër.

“Për rrjedhojë gjyqtari në çështjen e të provuarit përmes provave rrethanore  duhet të bindet se probabiliteti i fajësisë së të pandehurit është aq i lartë, saqë asnjë konkluzion tjetër nuk është i justifikueshëm. Kjo gjë kërkon që konkluzionet përfundimtare  jo vetëm se duhet të mbështesin probabilitetin e lartë se dashja është provuar, por edhe se shpjegimet alternative kanë probabilitet të ulët. Në rastin konkret fakti vendimtar se a ka qenë në dijeni i akuzuari me rastin e marrjes së vendimit për komisionin e rekrutimit se ka aplikuar vajza e tij në atë konkurs ka mbetur dubioze dhe në nivel hipotetik ”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndryshe, më 29 dhjetor 2020, Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, është dënuar me 4 mijë euro gjobë për rastin ku ai akuzohej nga Prokuroria Themelore në Pejë për konflikt interesi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova, ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej 2 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Elezaj dënimin me gjobë duhet ta paguaj brenda afatit 6 mujor, pasi vendimi të bëhet i formës së prerë. Në rast se i pandehuri nuk e paguan gjobën atëherë të njëjtit do t’i zëvendësohet me dënim me burgim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.

Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit. /BetimipërDrejtësi