Gjykata e Apelit i jep kompetencë Gjykatës së Gjilanit për gjykimin e prokurorit Bajram Hamitaga

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë  – Gjykata e Apelit ka vendosur që Gjykata Themelore në Gjilan ta ketë kompetencën për të vendosur për rastin e prokurorit të Prizrenit Bajram Hamitaga, dhe shoferit të tij Luan Delili. Lajmin për këtë vendim e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj. Sipas saj, javën e kaluar Gjykata Themelore e Prizrenit e kishte dërguar çështjen në Gjykatën e Apelit, ku kishte kërkuar perjashtimin nga gjykimi i Hamitagas, me arsyetimin se i njëjti aty ka punuar vazhdimisht si prokuror.

Më 26 shtator, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prizren, kundër dy të pandehurve, prokurorit Bajram Hamitaga dhe shoferit të tij Luan Delili. Ata akuzohen se kanë kryer veprat penale: ‘keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘frikësimi gjatë procedurës penale’.

Prokurori Hamitaga nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, akuzohet se nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitoj dobi pasurore për vete dhe djalin e tij.

Ndërkaq, shoferi i tij Luan Delili, më 8 prill 2016, duke premtuar, kishte nxitur një person që të tërhiqej nga dhënia e disa deklaratave, ku kishte thënë se i prokurori Bajram Hamitaga ia kishte kërkuar 5.000 euro nga disa persona për të kryer një çështje.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë