Gjykata e Apelit administron një provë në rastin ku katër të akuzuarit janë dënuar për shitblerjen e 53 kg marihuanë

20210222_122758
Author

Raporton: Medina KADRIU

Shkurt 22, 2021

Prishtinë – Në seancën e së hënës, kolegji i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, ka administruar një provë në seancën ku janë shqyrtuar ankesat për rastin e të dënuarve nga shkalla e parë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati.

Deri te administrimi i kësaj prove ka ardhur pas propozimit të avokatit të akuzuarit Islam Basha, Betim Shalës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai kishte dorëzuar një plotësim ankese, me anë të së cilës ka deponuar katër fotografi dhe një flash disk apo USB, në të cilën mbrojtja ka theksuar se me vonesë është njoftuar nga ana e familjarëve të akuzuarit  që i njëjti siç pretendohet në akuzë me datën 23 qershor 2019 është arritur marrëveshje në Shqipëri mes të akuzuarve.

Sipas mbrojtjes,  i njëjti po atë datë ka qenë i angazhuar në një dasmë si DJ në Shqipëri ku brenda USB-së janë sekuenca filmike, ku shihet i akuzuari Basha.

Gjyqtari referues, Burim Ademi, ka deklaruar se kolegji ka vendosur të vazhdojë me shqyrtimin vetëm për marrjen e provës së re.

“Unë do të referoj vetëm pjesën që ka të bëj me këtë provë. Thelbi i kësaj prove është në raport me rrethanat faktike që pretendohet nga ana e mbrojtjes që prokuroria ka theksuar se me 23 janë marr vesh të akuzuarit në Tiranë dhe mbrojtja provën e tillë e ka paraqitur pikërisht për të vërtetuar vërtetësinë e alibisë në raport me të akuzuarin Islam duke prezantuar disa sekuenca filmike”, ka thënë ai.

Sipas tij, mbështetur në to janë nxjerrë disa fotografi, ku në një aheng të mbajtur në Tiranë vërehet i akuzuari Islam Basha dhe që mbrojtja thekson që ka qenë me datën 23 qershor 2019 siç pretendohet me rrethanën e tillë që prokuroria thekson se ka  pasur një takim ku janë dakorduar një natë para arrestimit.

Më pas në gjykatore janë lëshuar këto sekuenca filmike, ku pas shikimit është deklaruar mbrojtja lidhur me modifikimin e datës që shihej në monitor.

Sipas avokatit Shala, provën e ka pranuar nga familjarët e të mbrojturit të tij dhe duke u bazuar në fjalët e tyre, pamjet janë marrë nga familjarët e personit që është martuar.

“Unë i kam kërkuar disa sekuenca ku shihet i akuzuari dhe prandaj mund të jetë e modifikuar data, përkundër se nuk jam teknik dhe nuk mund të sqaroj diçka tjetër”, ka thënë ai.

Ndërkaq, i akuzuari Basha deklaroi se këto video janë nxjerrë nga studio që ka bërë incizimin dhe personi që ka pasur ahengun.

“Por, lidhur me këtë aheng, unë mund të kem edhe fotografi në telefonin që më është sekuestruar, kam pasur edhe shënime, një letër të datave të dasmave që janë gjendur në makinën që më është sekuestruar”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, prokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, deklaroi se ka një pyetje për të akuzuarin dhe e ka pyetur të njëjtin se kur ka filluar dasma.

“Unë shkoj një orë përpara, një orë e gjysmë, bëj pajisjet gati, në 6 apo 7,  në mbrëmje”, është përgjigjur i akuzuari Basha, ndërsa kur u pyet se ku ka qenë gjatë ditës atë ditë, i njëjti deklaroi se ka qenë në shtëpi.

Tutje, prokurori Dërguti deklaroi se kjo provë nuk mund të konsiderohet si alibi për disa arsye.

“E para për faktin se i akuzuari gjatë ditës ka mundur të ketë kontakt me persona të ndryshëm pasi që dasma ka filluar diku prej orës 6 pasdite. Kjo është realitet. Çështje tjetër është nuk po e kontestojmë prezencën e tij në atë dasmë që shihet edhe nga filmimi, por po e kontestojmë datën pasi është e modifikuar dhe nuk dihet se kur ka ndodh ajo dhe për këtë arsye i propozoj gjykatës që ta refuzojë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, avokati Shala deklaroi se duke u bazuar në vet deklaratën e të pandehurit, por edhe deklaratën e tij paraprake që nga telefonat e sekuestruar mund të vërehet qartë se atë ditë nuk ka pas thirrje dhe telefonata e aranzhim të takimit me personat e tjerë të akuzuar.

“Në telefonin e sekuestruar mund të gjendet edhe fotografi, prokurori nuk e konteston ngjarjen që ka ndodh, por telefoni e tregon edhe datën kur ka ndodh.  Unë konsideroj se duke u bazuar gjatë tërë kohës së deklarimit të islamit që ka mohuar faktin e prezencës dhe kontaktin me Adam Nezaj që se njeh e as se ka njoft dhe Lavdërimit para ditës kritike, unë konsideroj se kjo vërteton se nuk ka ekzistuar asnjë kontakt paraprak e marrëveshje”, ka thënë ai.

Kurse, i akuzuari Basha tha se nga telefoni i tij mund të shihet se a ka pasur telefonatë me të akuzuarit, jo vetëm për atë ditë, por edhe për çdo ditë tjetër.

Paraprakisht, para administrimit të kësaj prove, palët kanë elaboruar ankesat e tyre të parashtruara në Gjykatë të Apelit, me anë të së cilave kanë atakuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë, ku ankesë kishin parashtruar mbrojtja e Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Kjo e fundit ankesën e kishte parashtruar për shkak të vendimit lidhur me sanksionin, duke propozuar që Apeli ta aprovojë ankesën e tyre dhe aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet e t’u shqiptohet dënime me të rënda të akuzuarve, si dhe duke propozuar që ankesat e mbrojtësve të refuzohen. Ndërkaq, mbrojtësit kishte kërkuar lirimin nga akuza apo kthimin e rastit në rigjykim.

Prokurori Haxhi Dërguti deklaroi se kanë konkluduar se duhet të aprovohet ankesa e PSRK-së.

“Të gjitha arsyet pse duhet të rëndohet dënimet janë në ankesë. Duhet të ketë parasysh gjykata se kjo vepër penale është në rritje dhe me dënime të ulëta nuk mund të arrihet qëllimi i dënimit. Kemi propozuar të refuzohen të gjitha ankesat e mbrojtësve për faktin se të gjitha pretendimet ankimore janë pretendime që janë shqyrtuar në shqyrtimin kryesor në gjykatën e shkallës së parë dhe duhet të refuzohen”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket  propozimit të avokatit Betim Shala lidhur me një provë që e ka prezantuar, ai tha se konsiderojnë gjykata nuk mund ta merr parasysh.

“Se ne si prokurori nuk jemi të njoftum për atë fakt, prej momentin që është kry vepra penale deri në momentin kur është dorëzu pala ne nuk e dimë si ka ardh deri te ajo. Tu e pas parasysh faktin se në rrjete sociale, me teknologji që ekzistojnë e njëjta mund të jetë edhe e kurdisur, ne si prokurori dyshojmë në këtë fakt për faktin pse ajo provë deri më sot nuk është prezantu, pse nuk është prezantu në shkallë të parë ta shqyrtojë gjykata. Propozojmë që të refuzohet ajo provë”, ka thënë ai.

Avokati Naim Rudari, mbrojtës i të akuzuarit Adam Nezaj, deklaroi se qëndrojnë në tërësi pranë ankesës së parashtruar në gjykatë dhe në përgjigjen në ankesë e se kanë parashtruar ankesë sa i përket sanksionit penal.

Për klientin e tij tha se ka pranuar fajësinë e që para pranimit të fajësisë kanë pasur edhe biseda për marrëveshje për pranim të fajësisë me prokurorinë.

“Bisedat kanë qenë të shkruara që i kemi deponuar në gjykatë ndonëse nuk janë obligative për gjykatën, ka qenë rrethanë se prokurori ka kërkuar dënim për 2 vite”, ka thënë ai.

Sipas tij, i  mbrojturi i tij e ka pranuar fajësinë, por e konsiderojnë të lartë dënimin,  e sidomos pasi ka rrethana lehtësusese si pranimi i fajësisë, pendimi, keqardhja e shprehur.

“Gjykata me rastin e matjes dhe caktimit të dënimit, përveç thënies së përhershme rrezikshmërisë shoqërore nuk ka gjetur rrethana të tjera rënduese”, ka thënë ai.

Sipas tij, i mbrojturi i tij më parë nuk ka kryer vepra penale dhe ka kërkuar që t’i shqiptohet një dënim më i butë.

“Ne kemi kërkuar refuzimin e ankesës së prokurorisë, nuk ka asnjë arsye të vetme sidomos për Adam Nezaj për të kërkuar dënim më të lartë, kur vet prokurori që ka përpiluar ankesën gjatë negociatave ka propozuar dënim më të ulët, ndonëse nuk kemi përfunduar marrëveshjen, jemi marr vesh të pranojë fajësinë në gjykatë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, avokati Betim Shala, mbrojtës i Islam Bashës deklaroi se edhe gjatë rigjykimit janë bërë të njëjtat shkelje procedurale sikurse në gjykimin e parë nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

“Në mënyrë detaje i kam paraqitur në ankesë pretendimet ankimore lidhur me shkeljen esenciale për të cilat gjykata e shkallës së parë e ka pas njohurin dhe i është sugjeruar mos t’i bëj dhe përkundër asaj së paku në arsyetimin e aktgjykimit i ka bërë ato përsëritje. Pranimin e fajësisë të një bashkëpandehur e ka prejudiku dhe në një formë e ka bazuar në aktgjykimin e saj dhe ka konsideruar se edhe bashkë të akuzuarit e tjerë i ka konsideruar kryes të kësaj vepre penale përkundër se i mbrojturi im gjatë tërë procedurës e ka mohuar faktin e kryerjes së veprës penale”, ka thënë ai.

Sipas tij, po ashtu, gjykata e shkallës së parë dispozitvin e aktgjykimit e ka bazuar kryekëput në dispozitivin e paraqitur nga ana e prokurorisë në aktakuzë dhe me asnjë provë të vetme nuk e ka vërtetuar se a ka pas kontakt mes të akuzuarve para ditës kritike.

“As provat e tjera nuk e vërtetojnë se ka pas kontakt mes të akuzuarve dhe se i kanë ndarë rolet.  Nëse shikohet listingu i thirrjeve, as një natë e as një ditë, e as tre katër ditë para ditës kritike nuk ka pas kontakt me të akuzuarit tjerë. I akuzuari gjithmonë e ka mohu faktin se ka pas kontakt me të akuzuarit dhe familjarët kanë ra në dijeni se ekziston një incizim ku shihet se në dasmë para ditës kritike shihet si DJ”, ka thënë ai.

Kurse, mbrojtësi zëvendësues i të akuzuarit, Lavdërim Osmani, Lutfi Tahiri, ka thënë se mbeten në tërësi pranë ankesës dhe se konsiderojnë se aktgjykimi i shkallës së parë ka shkelje ashtu si janë propozuar në ankesë.

“Me propozimin që ankesa e mbrojtjes të aprovohet për faktin se ka bazë si e tillë në mënyrë që aktgjykimi të ndryshohet dhe i mbrojturi të lirohet nga aktakuza ose të anulohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe çështja të kthehet në rigjykim. I propozojmë gjykatës të ketë parasysh se i akuzuari asnjëherë nuk rënë ndesh me ligjin, kjo është hera e parë dhe konsiderojmë që kjo nuk është shqyrtuar nga shkalla e parë dhe se dënimi është tejet i lartë. Kërkojmë të ketë parasysh rrethanat që janë cekur në ankesë se i njëjti vuan nga gjëndra tiroide dhe i kemi dorëzuar dosjet mjekësore se është i sëmurë dhe i paralizuar 50% , ka një gjendje jo të mirë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Osmani tha se ka 20 muaj në burg në Kosovë e është shtetas shqiptar dhe është i pafajshëm.

“Në ditën kritike më ka thirr Islam Basha te shtëpia më ka thënë hajde të marrim një veturë në Kosovë, e blerë ka qenë “Mercedes Benz”, kam ardh me marr makinën me qu në Shqipëri mi ndihmu. Sa i përket shpifjeve që ka bërë Irfani , është i korruptuar e them, e liroi pronarin e depos. Unë nuk jam as pjesëtar i blerjes së makinës, më dëgjoni se jam baba i 4 fëmijëve, ndaq me kanun, ndaq ligj, ndaq me kushtetutë jam i pastër”, ka thënë ai.

Kurse, gjykatësi referues, Burim Ademi i tha të njëjtit se kjo është një seancë e shkallës së dytë dhe se i ka dhënë deklaratat në prokurori, në shqyrtimin gjyqësor para se të anulohet çështja nga shkalla e dytë.

“Në shqyrtimin e dytë keni deklaruar se mbeteni pranë deklarimeve që i keni dhënë. Të gjitha i kemi, mos i ripërsëritni deklarimet e juaja sepse nuk jemi për të dëgjuar deklarimet. Konsultohuni me avokatin nëse nuk e kuptoni rrjedhën”, ka thënë ail.

Mirëpo, Osmani vazhdoi duke thënë se është dënuar pa asnjë lloj fakti.

“Kam ardh me marr makinën e Islam Bashës. Unë jam vetëm thjesht një bëmirës i tij me ja marr makinën me qu në Shqipëri. Jam thjesht një viktimë e kësaj vepre penale dhe është turp i madh që ekziston dhe kam shpresë që do të ketë një gjykatë që do t’i jep zgjidhje kësaj pune. I lutem shtetit, pallatit të drejtësisë dhe gjithë Kosovës që ta marr parasysh këtë çështje. Unë jam në Austri qe 33 vjet, nuk kam lidhje, kam ardh me ja marr makinën me ja qu në Shqipëri. Nuk kam qenë as tu shit drogë e as tu ble drogë”, ka thënë ai.

Avokati i Vegim Esatit, Skender Musa, deklaroi se e kundërshtojnë ankesën e prokurorisë, e cila sipas tij në fakt është në kundërshtim edhe me dispozitivin e aktakuzë sepse në ankesë thuhet që të gjithë të akuzuarit i kanë ndarë rolet, kurse në dispozitiv thuhet se tre të akuzuarit kanë nda rolet e i akuzuari Vegim ka thënë “ikni policia”.

“Sa i përket ankesës që kam parashtruar i kam potencuar të gjitha shkeljet. Mirëpo dua të potencoj se gjykata e shkallës së parë nuk ka marrë parasysh vërejtjet e gjykatës së apelit. Është vepruar në kundërshtim me nenin 406, paragrafi 3 sepse gjykatat e shkallave të para janë të obliguar të respektojnë rekomandimet e Gjykatës së Apelit”, ka thënë ai.

Ndryshe, një nga familjarët e të Islam Bashës që ishte prezent në gjykatore, dyshohej se ka incizuar pa autorizim gjatë gjykimit dhe i njëjti është marrë në kontrollë nga policia.

E për të njëjtin në fund të seancës, pasi i akuzuari Basha filloi duke thënë “një familjar i imi”, gjykatësi Burim Ademi tha se do të merret me policinë për veprimet që i ka bërë.

Ndryshe, me 27 nëntor 2020, gjykata e shkallës së parë sërish i kishte shpallur fajtorë Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Albina Shabani-Rama, Adam Nezaj është dënuar me dy vite e 10 muaj burgim dhe shtatë mijë euro gjobë, Islam Basha u dënua me tre vite e gjashtë muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë, Lavdërim Osmani është dënuar me 3 vite e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa Vegim Esati është dënuar me tre vite burgim dhe gjobë në lartësi prej 10 mijë eurove.

Gjykata kishte obliguar të akuzuarit që dënimet me gjobë t’i paguajnë brenda afatit prej 30 dite dhe jo më larg se tre muaj, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në qoftë se të akuzuarit nuk paguajnë gjobën brenda këtij afati, atëherë ky dënim do t’u shndërrohej në burgim, duke llogaritur 20 euro për një ditë burgim.

Koha e kaluar në paraburgim për të akuzuarit Nezaj, Basha dhe Osmani nga 24 qershori 2019 e tutje, do t’iu llogaritej në dënimin e shqiptuar. Ndërsa të akuzuarit Esati koha e kaluar në paraburgim nga 24 qershor 2019 dhe deri më 27 janar 2020 gjithashtu do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Krahas këtij dënimi, gjykata ndaj katër të akuzuarve kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues, duke konfiskuar 53.274 kg substancë narkotike e llojit marihuanë.

Po ashtu nga i akuzuari Adam Nezaj, me vendim të gjykatës, janë konfiskuar vetura “Citroen C8”, një telefon mobil dhe para të gatshme në vlerë prej 2573 euro dhe 250 lekë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, nga i akuzuari Islam Basha janë konfiskuar dy telefona mobil, një veturë “Audi A6” dhe para të gatshme në vlerë 245 euro dhe 18 mijë e 100 lekë, nga i akuzuari Lavdërim Osmani janë konfiskuar nga gjykata tre telefona mobil dhe para të gatshme në vlerë 390 euro dhe 101 mijë e 400 lekë, kurse nga i akuzuari Vegim Esati janë konfiskuar katër telefona mobil, vetura “BMË X3” dhe para të gatshme 4460 lekë.

Gjykatësja Shabani-Rama kishte njoftuar se të akuzuarit Esati i kthehen veturat “Mercedes CLS” dhe “Audi A4”, ngase nuk është provuar se ato janë përfituar si dobi e veprës penale.

Ndaj të akuzuarve Nezaj, Basha dhe Osmani ishte vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se koha e dënimit.

Gjithashtu, të akuzuarit ishin obliguar që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale, sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë secili veç e veç shumën prej 100 euro, si dhe në emër të fondit të kompensimit të viktimave, nga 50 euro, të gjitha këto në afat prej 30 ditësh nga data e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Paraprakisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special më 22 qershor 2020 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Albina Shabani-Rama, Adam Nezaj është dënuar me 2 vite e 10 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë, Islam Basha u dënua me 3 vite e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë, kurse Lavdërim Osmani është dënuar me 3 vite e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Ndërkaq, Vegim Esati, për shitje të paautorizuar me narkotikë u dënua me 3 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 500 euro gjobë. Si dënim unik atij i është shqiptuar burgimi në kohëzgjatje prej 3 viteve dhe gjoba në lartësi prej 10 mijë e 500 euro.

Mirëpo, pas ankesave në Gjykatën e Apelit, më 14 shtator 2020, e njëjta ka vendosur që çështjen ta kthejë në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 15 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Adam Nezaj, Islam Basha dhe Lavdërim Osmani me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, e duke vepruar në grup, më 23 qershor 2019, një natë para arrestimit janë takuar në Tiranë, ku janë dakorduar dhe kanë ndarë rolet, ku i akuzuari Nezaj kishte përgjegjësinë që drogën ta sjell nga Shqipëria në Kosovë, për ta sistemuar në pronën e të akuzuarit Mustafë Esati, pastaj të akuzuarit Islam Basha dhe Lavdërim Osmani që ta përgatisin terrenin, kanë shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Mustafë Esati për të monitoruar vendin ku duhej dërguar narkotike, i pandehuri Vegim Esati, me detyrë për të vëzhguar lëvizjet eventuale të policisë.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Adam Nezaj, më 24 qershor 2019, me veturën e tij “Citroen” ka hyrë në Kosovë dhe ka shkuar tek qendra tregtare “Viva Vresh” në Veternik, ku takohet me të akuzuarin Lavdërim Osmani, të cilin aty e kishte dërguar i akuzuari Mustafë Esati, ku me veturën “Citroen”, kanë vazhduar për në shtëpinë e të akuzuarit Mustafë Esati, që gjendej në Lipjan, dhe me të arritur tek udhëkryqi i Lipjanit, takohen me të akuzuarit Islam Basha dhe Vegim Esati, me ç’rast futet me veturën e tij në brendësi të oborrit të shtëpisë së Mustafë Esatit, ku ishte e parkuar vetura “Pikap”, dhe nga vetura e Adam Nezajt zbrazin narkotikun për ta vendosur në veturën “Pikap”.

Gjithnjë sipas akuzës, vetura “Citroen” del nga aty dhe niset në drejtim të Lipjanit, kurse i pandehuri Mustafë Esati, me veturën e tij, shkon në një supermarket, i cili gjendej afër shtëpisë, ku blenë qese të plastikës dhe niset në drejtim të depos së tij, e ndalon veturën në hyrje të oborrit, derisa në këtë moment policia ka hyrë në këtë depo për të realizuar kontrollin dhe me të vërejtur policinë, i akuzuari Vegim Esati bërtet duke thënë “ikni, policia” dhe me rastin e kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar 55 kg e 432 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se njëkohësisht në vendin e ngjarjes janë arrestuar të pandehurit Islam Basha, i cili në atë moment ka qenë në katin e dytë të shtëpisë hipur në dritaren e një dhome me qëllim të ikjes, Vegim Esati, Lavdërim Osmani, ndërsa pak më vonë në territorin e komunës së Gjakovës, është arrestuar edhe i akuzuari Adam Nezaj, kurse i akuzuari Mustafë Esati, ka arrit që të arratiset.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 par.1 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, sipas kësaj aktakuze, Vegim Esati akuzohet edhe se më parë është furnizuar dhe pa autorizim deri më 24 qershor 2019, ka mbajtur armë dhe atë një revole 9 mm, një karikator së bashku me 18 fishekë, i cili është gjetur dhe sekuestruar në depon e të pandehurit Mustafë Esati, që gjendet para autolarjes “Flloki”, te udhëkryqi i Lipjanit, me rastin e bastisjes që kishte ndërmarrë policia.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Vegim Esati se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi