Gjykata do të kërkojë informata nga MKRS-ja nëse producenti Fejza e ka dorëzuar filmin

20200113_105019
Author

Raporton: Medina KADRIU

Janar 13, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, në seancën e së hënës, ka marrë vendim që sipas detyrës zyrtare të kërkohen informata nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ( MKRS), nëse producenti Nehat Fejza, e ka prezantuar filmin në këtë institucion.

Nehat Fejza po akuzohet nga prokuroria për kryerje të veprës penale “mashtrimi në detyrë”.

E bashkë me të, për të njëjtën vepër penale, po akuzohet edhe producenti tjetër, Armond Morina, që lidhen me akuzat rreth dy filmave “Ndjekja e Larës” dhe “Mysafir në sofër”, për realizimin e të cilëve, ishin subvencionuar nga MKRS-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Morina dhe Fejza, ishin shpallur fajtorë në dhjetor të vitit 2016, nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ishin dënuar me nga një vit burgim me kusht.

Këto dënime, ishin ashpërsuar pastaj nga Gjykata e Apelit, e cila Fejzën e kishte gjykuar me dy vjet burgim me kusht, kurse Morinën me një vit e gjashtë muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, pas kërkesave për mbrojtje te ligjshmërisë së paraqitura nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve, Arianit Koci dhe Osman Havolli, Gjykata Supreme i kishte anuluar pjesërisht aktgjykimet e Themelores dhe Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë.

Në seancën e  rigjykimit të mbajtur të hënën, kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, ka thënë se është vendosur që të kërkojnë informata nga MKRS-ja lidhur me filmin e realizuar nga producenti Fejza.

“Kemi vendos që të kërkojmë sipas detyrës zyrtare nga ministria, departamenti përkatës i filmit të na përgjigjet në pyetjen nëse i akuzuari Nehat Fejza ka prezantuar në MKRS, filmin të cilin e ka kontraktuar dhe me datë të saktë dhe nëse MKRS ka përpiluar ndonjë procesverbal apo shënim tjetër zyrtar për pranimin e këtij filmi. Dhe, nëse kanë pasur apo jo vërejtje apo komente për filmin e dorëzuar”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini.

Paraprakisht, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Bedri Krasniqi, është deklaruar lidhur me obligimin që i kishte dhënë gjykata për të prezantuar një raport.

“Ekziston një raport i datës 8 janar 2020, i lëshuar nga zyrtari ligjor i Ministrisë së Kulturës, Xhevat Bajrami, që thuhet se ka përmbushur obligimin në shumë prej 45 mijë euro. Thuhet se filmi nuk është deponuar asnjëherë në ministri dhe ai film nuk është bërë asnjëherë pasi që nuk është askund në Departamentin e Kulturës, ngase nuk është marr asnjë raport narrativ, as financiar, e as procesverbal, e as CD të filmit. Këto i kam siguruar në formë të informatave nga zyrtari që e ceka, kurse raportin me shkrim do ta sjell në seancën e ardhshme”, kishte thënë ai në seancën e 9 shtatorit, ku ishte obliguar që këtë raport ta paraqiste në gjykatë.

Ai gjatë seancës të së hënës tha se shuma prej 45 mijë euro, i është lëshuar produksionit filmik të të akuzuarit Fejza, më 19 prill 2006, në emër të projektit dhe kjo vlerë konsiderohet e mbyllur për shkak se janë arsyetuar shpenzimet.

“Për shuma të tjera nuk ka arsyetuar nuk ka asgjë, nuk ka prezantuar për të arsyetuar mjetet që i ka marrë në bazë të kontratës. Nuk e kam raportin me arsyetim”, ka thënë Krasniqi.

Gjykatësja Çerkini, më pas i tha këtij të fundit se ka pasur obligim ta vërtetojë me të dhëna të sakta zyrtare.

“Të paktën a është dorëzu DVD. A ka pas vërejtje, ndonjë procesverbal, ndonjë shënim zyrtar kur është pranu a dorëzu. A ka raport zyrtar nga ministria”, ka pyetur ajo.

“Nuk ka raport tjetër, vetëm konsiderohet e mbyllur kjo. E kam këtë që thuhet avans i mbyllur, në Ministri të Financave janë krejt”, ka thënë Krasniqi, e më pas këtë kopje të një email-i zyrtar të datës 6 dhjetor e ka dorëzuar në gjykatë.

Prokurori Hivzi Bajraktari deklaroi se është kërkuar të dihet se DVD-ja, e cila është dorëzuar në gjykatë a ka të bëjë me filmin “Power cuts”, sipas kontratës në mes të MKRS dhe Fejzës, e se a është realizuar ai film.

“Pa u vërtetuar kjo çështje, atëherë nuk kemi mundësi me vazhdu me shqyrtimin gjyqësor”, ka thënë ai.

Kurse, avokati mbrojtës i Morinës, Arianit Koci, deklaroi se kjo është e papranueshme se çfarë po thotë prokuroria pas 14 viteve.

“Tash thotë nuk mundemi me vazhdu më tutje, pse është ngrit aktakuza pa u kompletu me prova”, ka thënë ai.

Kurse, prokurori Bajraktari deklaroi se ai tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor është parashtruar kjo dëshmi, meqenëse kur është ngritur aktakuza nuk ka ekzistuar si provë.

Ndërkaq, avokati Havolli, i cili mbron të akuzuarin Fejza tha se pretendimet e palës së dëmtuar për shumën dhe filmin se nuk është realizuar i kundër argumenton eksperti ekonomiko -financiar në faqen 7 të ekspertizës së fundit.

“E cila është në lidhshmëri të plotë me ekspertizën e mëhershme dhe se një kopje e DVD-së është dorëzuar në ministri, e regjistruar dhe protokolluar me datë 10 maj 2011, dhe shumat respektivisht shpenzimet janë specifikuar mu në këtë faqe të ekspertizës”, ka thënë ai.

Gjykatësja Çerkini më pas tha se ka qenë obligim të sigurohet raporti i plotë se a është dorëzuar filmi “Power Cuts” a është protokolluar dhe a ka pas vërejtje.

“Kam kërkuar, nuk ka të dhëna se është dorëzuar filmi. Prandaj, propozoj të dëgjohet si dëshmitar zyrtari kinematografik”, ka thënë përfaqësuesi i palës së dëmtuar.

Kurse, prokurori Bajraktari tha se është mirë që përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës nga personi kompetent i ngarkuar me çështje të produksionit të filmit ta sjell një shkresë zyrtare se a është në departamentin e tyre, dhe a është realizuar projekti i filmit.

Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Krasniqi deklaroi se propozon që në cilësi të dëshmitares të dëgjohet Kimete Berisha, zyrtare kinematografike.

Avokati Koci, deklaroi se pala e dëmtuar me pretendimet e saj po e kundërshton edhe vet ekspertizën e ekspertit Xhevdet Krasniqi, pasi nuk e dinë në fakt me cilat dokumente e ka kryer ekspertizën.

“Në anën tjetër, eksperti Krasniqi asnjëherë nuk e ka kontaktuar klientin tim apo kontabilistin e klientit tim që të kërkojë sqarime. Eksperti paraprak Riza Blakaj e ka bërë këtë. Prandaj, ka edhe kundërshtime mes ekspertizës së Riza Blakaj e Xhevdet Krasniqi. Meqenëse, nuk ka kontaktuar me klientin tim e kundërshtoj këtë ekspertizë. E përsërisim kërkesën që të ftohet Riza Blakaj për sqarime”, ka thënë ai.

Kurse, prokurori Bajraktari tha se konsideron se nga ministria nuk e kanë të qartë dhe është dashur të obligohet personi kompetent nga departamenti përkatës se lidhur me filmin a ka dëshmi se është realizuar ky film  dhe a është dorëzuar nga tani i pandehuri Nehat Fejza.

Ai ka kundërshtuar që të dëgjohen eksperti Blakaj, si dhe Kimete Berisha, pasi sipas tij, të dy veçse janë dëgjuar në gjykatore.

“Propozoj të dëgjohet personi zyrtar kompetent për projekte filmike të Ministrisë së Kulturës”, ka thënë ai.

Kurse, trupi gjykues ka refuzuar propozimet për dëgjimin e personave të lartcekur.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 7 shkurt, nga ora 10:00.

Të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe dy ish-ministrat e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri, të cilët ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mirëpo duke vendosur sipas ankesave të mbrojtësve, Apeli e kishte liruar ish-ministrin Beqiri, kurse ndaj Haraqisë ishte refuzuar akuza për shkak të parashkrimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 15 dhjetor 2016, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Morina dhe Fejza për shkak të veprës penale të mashtrimit në detyrë, dhe të njëjtit i kishte gjykuar me nga një vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse të akuzuarit nuk do të kryenin vepra tjera penale në periudhën e verifikimit prej dy vjetësh.

Fejza dhe Morina ishin obliguar që të dëmtuarës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar dhe atë, i dënuari Morina në shumë prej 100.000 euro, kurse i dënuari Fejza në shumë prej 188.000 euro, në afat jo më gjatë se tre muaj, pasi ky aktgjykim të merrte formën e prerë, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm.

Gjykata e Apelit, më 11 prill 2017, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që të akuzuarit Fejza i kishte shqiptuar dënim prej dy vjetësh burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i dënuari në afatin prej tre vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale, dhe ishte urdhëruar që MKRS-së t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumë prej 188.000 euro.

Apeli ia kishte rritur dënimin edhe Armond Morinës, ashtu që të njëjtit ia kishte shqiptuar dënimin prej një vit e gjashtë muaj burgim, e i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse ai në afatin e verifikimit prej tre vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale dhe ishte urdhëruar që MKRS-së t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumë prej 100.000 euro, në afat prej tre muajsh pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë nën kërcënimin e ekzekutimit të dhunshëm.

Sipas këtij aktgjykimi, nëse të akuzuarit nuk do të përmbushnin këto detyrime dhe nuk do të kompensonin dëmin e shkaktuar ndaj MKRS, dënimi me kusht do tu revokohej.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kishin paraqitur mbrojtësi i të dënuarit Fejza, avokati Osman Havolli dhe avokati i Armond Morinës, Arianit Koci, për shkak të pretendimeve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak të shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale dhe për shkak të shkeljeve të ligjit penal.

Të njëjtit i kishin propozuar Gjykatës Supreme që kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të aprovohen si të bazuara, kurse aktgjykimet e kundërshtuara të anulohen dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje.

Kurse, përgjigje në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë kishte dhënë Prokurori i Shtetit, me të cilën kishte propozuar që kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë  e mbrojtësve të të pandehurve të refuzohen si të pabazuara.

E duke vendosur lidhur me pretendimet e mbrojtësve, Supremja i ka aprovuar si të bazuara të njëjtat, duke ardhur në përfundim se aktgjykimet e Themelores dhe të Apelit janë marr me shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas vendimit të Supremes, Gjykata e Apelit me rastin e shqiptimit të dënimit ndaj dy të akuzuarve ka zbatuar në mënyrë të kombinuar dispozitat e Kodit të Përkohshëm Penal, si dhe të Kodit ekzistues Penal, ashtu që dënimet me burgim i ka shqiptuar sipas Kodit të Përkohshëm ndërsa dënimet plotësuese sipas Kodit Penal në fuqi.

“Gjykata e Apeli në rastin konkret nuk ka mundur t`i aplikoj në mënyrë të kombinuar dispozitat e ligjit që ka pushuar së funksionari dhe të ligjit që gjendet në fuqi sepse, po të lejohej mundësia e tillë, atëherë gjykata në fakt krijon ligj të ri penal, gjegjësisht do të gjykonte kryesin e veprës penale  sipas ndonjë ligji që nuk ka qenë në fuqi asnjëherë”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Po ashtu, sipas vlerësimit të Supremes qëndron edhe pretendimi i mbrojtësit të të akuzuarit Fejza se aktgjykimi i Apelit është marr me shkelje të ligjit penal në rastin kur të akuzuarit i ka urdhëruar se nëse nuk i kompensojnë dëmet e shkaktuara MKRS-së, atëherë do të filloj procedura e revokimit me kusht ndaj të akuzuarve.

Sipas Supremes, këto dispozita ligjore fare nuk i referohen rastit konkret për faktin se nuk bëhet fjalë për kryerje të ndonjë vepre penale të mëparshme para se të jenë dënuar me kusht të akuzuarit.

“Në rastin  konkret gjen vend dispozita e nenit 47 të KPPK-së ku theksohet se nëse dënimi me kusht është kushtëzuar me përmbushjen e një detyrimi të paraparë me nenin 43(3) të këtij Kodi dhe personi i dënuar nuk e përmbush këtë detyrim në afatin e caktuar nga gjykata, gjykata mund ta vazhdojë afatin e përmbushjes së detyrimit brenda afatit të  verifikimit apo mund ta revokojë dënimin me kusht dhe ta ekzekutojë dënimin i cili është caktuar me dënimin me kusht. Nëse gjykata konstaton se i dënuari për shkaqe të arsyeshme nuk ka mund ta përmbushë detyrimin e caktuar më parë, gjykata e heq përmbushjen e atij detyrimi ose e zëvendëson atë me një detyrim tjetër përkatës të paraparë me ligj”, thuhet në vendimin e Supremes.

Po ashtu sipas Supremes, shkalla e parë dhe ajo e dytë gjatë administrimit të provave pjesërisht u kanë dhënë besimin deklaratave të dënuarve dhe vlerësimit të ekspertizës financiare të ekspertit, e sipas instancës më të lartë gjyqësore, mjeteve provuese ose duhet t`u jepet besimi i plotë ose jo, gjegjësisht arsyetohet cilës pjesë dhe për çfarë arsyesh i jepet besimi.

“Në vendimet e gjykatave të kundërshtuara ndër të tjera theksohet se të dënuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete kanë prezantuar në MRKS llogari të rreme duke mos cituar asnjë provë të vetme gjatë shqyrtimit gjyqësor  për ta mbështetur bindjen e saj se faturat e prezantuara nga të dënuarit janë fiktive. Në aktgjykimet e atakuara, për këtë gjykatë është e pakuptueshme se cilës pjesë të ekspertizës së ekspertit financiar gjykata i ka dhënë besimin e cilës jo”, thekson Supremja në vendimin e saj.

Në rigjykim, Gjykata Supreme i ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë dhe atë të dytë që të veprojnë sipas vërejtjeve të përmendura dhe pasi që t`i administrojnë të gjitha provat,  posaçërisht të fokusohen në vlerësimin e ekspertizës ekzistuese duke e ftuar ekspertin në seancën e shqyrtimit gjyqësor për  sqarime shtesë apo sipas nevojës dhe vlerësimit të gjykatës, të caktojë ekspertizë tjetër nga lëmia e kinematografisë, të njëjtat t’i vlerësojnë dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave duhet të nxjerrën konkluzione të drejta  të ligjshme dhe të bazuara në provat e administruara e më pastaj të nxirret vendimi përkatës.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2015, ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ishin dënuar me nga 10 muaj burg me kusht, Armond Morina ishte dënuar me burg efektiv prej gjashtë muajsh, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza ishte shpallur i pafajshëm.

Mirëpo, rasti ishte kthyer në rigjykim pastaj më 2 qershor 2016, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale.

Prokuroria i ngarkonte dy ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri me veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ku siç thuhej kishin mbështetur filmat “Mysafir në Sofër” dhe “Ndjekja e Larës”, të producentëve Armond Morina dhe Nehat Fejza.  Ndërsa, dy të fundit akuzoheshin për veprën penale të ‘mashtrimit në detyrë’.

Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve ishte ngritur në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre kishte nisur në marsin e vitit 2014.

Sipas aktakuzës, ish-ministri Astrit Haraqija ka drejtuar Ministrinë e Kulturës në vitet 2004-2007, ndërsa më 27 shkurt 2006, kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures” për filmin “Ndjekja e Larës”, në vlerë prej 220,000 euro.

Në aktakuzë thuhet se më 30 janar 2007, i njëjti nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films” për filmin “Mysafir në sofër”, në vlerë prej 350,000 euro.

Ndërkaq, ish-ministri Valton Beqiri që drejtoi Ministrinë e Kulturës në vitet 2008-2010, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100,000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”. Sipas aktakuzës së prokurorisë, Ministria e Kulturës nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën totale prej 570,000 eurove, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe atë për Kinematografinë. /BetimipërDrejtësi