GJYKATA DËNON ME KUSHT ZYRTARIN E UBT-së PËR SHPËRDORIM TË DETYRËS

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, ditën e premte shpalli aktgjykimin kundër të akuzuarit Fatmir Hajrizi dhe e shpalli atë fajtor për veprën penale “Shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” duke i shqiptuar dënimin prej 6 muajsh burg, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse Hajrizi nuk thyen ligjin brenda periudhës verifikuese prej 1 viti. Ndërkaq, gjykata e liroi atë nga akuza se kishte kryer veprën penale “Mashtrimi”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në vitin 2014 kishte ngritur akatakuzën kundër Fatmir Hajrizit duke e ngarkuar atë me dy veprat penale të lartpërmendura, meqë sipas Prokurorisë ai në cilësinë e menaxherit teknik në Kolegjin Univerzitar për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë kishte pranuar shumën e parave prej 500 euro nga e dëmtuara Egzona Salihu mirëpo këto të holla nuk i kishte dorëzuar në zyrën e financave të UBT-së. Për më tepër, të dëmtuarës i ishin ndërprerë studimet ngase pagesa e saj nuk ka figuruar në bazën e të dhënave të UBT-së.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë