Gjykata cakton ekspertizë mjekësore në rastin ku paditësi po kërkon njohjen e pensionit si invalid i luftës

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Është caktuar ekspertizë mjekësore në rastin ku paditësi F.K, ka paditur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), lidhur me vendimin e lëshuar nga e njëjta, me të cilin i është refuzuar njohja në pension të skemës invalid i luftës.

Të mërkurën, përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Agon Rrecaj deklaroi se mbetet në tërësi prapa padisë dhe kërkoi nga gjykata që të përpilohet një ekspertizë mjekësore nga QKUK, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Konsiderojmë se vendimi të paditurës është nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme dhe i njëjti është marrë me shkelje esenciale të dispozitave ligjore”, shtoi avokati Rrecaj.

Përfaqësuesja e palës së paditur, Nazmije Aliu, tha se e kundërshton edhe më tej kërkesëpadinë e paditësit, duke shtuar se në bazë të vendimeve është vërtetuar në formular invaliditeti nga ana e ekspertëve mjekësore.

Po ashtu, Aliu e kundërshtoi propozimin e ekspertizës, pasi që sipas saj vetëm do ta prolongonte çështjen.

Pas kësaj, gjykatësja Luljeta Maxhuni e aprovoi kërkesën e palës paditëse për përpilimin e ekspertizës mjekësore.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 21 qershor 2019, paditësi F.K ka paditur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), pasi që të njëjtit i është refuzuar si e pabazuar kërkesa për njohje në pension të skemës invalid i luftës.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se kërkesa e paditësit është refuzuar si e pabazuar, pasi që pas shqyrtimit të ankesës dhe shkresave të lëndës është vërtetuar se nuk është e arsyeshme.

Paditësi pretendon se në vendim nuk janë aplikuar fare ose nuk janë aplikuar drejtë dispozitat ligjore dhe se nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë gjendja faktike. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë