Gjykata aprovon propozimin për dëgjimin e 6 dëshmitarëve në gjykimin për uzurpim prone

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan-  Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ka aprovuar propozimin që të dëgjohen gjashtë dëshmitarë Sh., I., dhe I.M (vëllezër të të akuzuarit A.M), M.T, M.B dhe F.R, në rastin ku A.M po akuzohet për uzurpim të paligjshëm të një prone të paluajtshme në një fshat në Komunën e Lipjanit.

Propozimin për dëgjimin e këtyre dëshmitarëve, e ka bërë mbrojtësi i të dëmtuarve R.S dhe R.Sh, avokati Egzonis Hajdari, gjatë shqyrtimit gjyqësor të hënën, me qëllim të zbadhjes sa më të mirë të gjendjes faktike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Propozimin e avokatit Hajdari nuk e kundërshtoi prokurori Besnik Jakupi, e as mbrojësja sipas detyrës zyrtare e të akuzuarit M., Pajtesë Fera.

Fera ka shtuar se mbetet pranë propozimit të dorëzuar në formë të shkruar që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen edhe I. dhe I.M, që të dy vëllëzër të të akuzuarit Marevci, me qëllim të vërtetimit të faktëve kontestuese.

Përmes aktvendimit, gjykatësi Avdirrahman Gashi aprovoi propozimin e mbrojtësit të të dëmtuarve Hajdari dhe mbrojtëses së të akuzuarit, sipas detyrës zyrtare Fera.

Ndryshe, në fillim të seancës, gjykatësi Gashi, vazhdoi shqyrtimin gjyqësor me aministrimin e provave, ku është bërë shiqimi dhe leximi i çertifikatës së gjeodezisë të ekspertit Riad Zeqiri të 28 marsit 2022.

Po ashtu, është shiquar dhe lexuar çertifikata e pronësisë në emër të “Agrounion” sh.p.k dhe R.S, secili me nga ½ e bashkëpronësisë së bashku me skicën kontestuese, si dhe shkresat tjera të lëndës.

Më pas, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarit A.M, mirëpo për shkak të propozimit të dëshmitarve të tjerë, gjykatësi Gashi vendosi që deklarata e tij, tani për tani të mbetet e mbyllur.

Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërperë, ndërsa e radhës është caktuar më 5 korrik 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 nëntor 2020, i akuzuari A.M, prej datës së pavërtetuar e deri më 1 korrik 2019, në mënyrë të kundërligjshme ka pushtuar pronën e paluajtshme, në pronësi të të dëmtuarve R.S dhe R.Sh, në anë mënyrë që pa autorizim ka hyrë në posedim faktik të paluajtshmërisë – në sipërfaqe prej 3.33 ha, të evidentuar tek vendi i quajtur Smonica, e regjistruar në Zonën Kadastrale Marec.

Sipas aktakuzës, në të njëjtën pronë ka mbjellë pemë dhe ka ndërtuar një shtëpi dhe me ato veprime i ka penguar të dëmtuarit t’i shfrytëzojnë pronat e tyre.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vite. /BetimipërDrejtësi

Shenim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë