Gjykata aprovon padinë e “Stone Castle”, kërkon nga MBPZHR të vendosë sërish lidhur me ankesën rreth subvencioneve për prodhimin e verës

Gj TH Prishtine 1
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Gusht 11, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka anuluar vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), pas aprovimit të padisë së ushtruar nga kompania “Stone Castle”.

Përmes padisë, “Stone Castle” kishte kërkuar anulimin e vendimit të MBPZHR-së lidhur me subvencionet për verën e prodhuar në vitin 2016, për çka paditësi kërkon që në emër të subvencioneve për verën e prodhuar në vitin 2016 paditëses t’ia paguajë shumën prej 236.707,56, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata përmes aktgjykimit ka konstatuar se padia e paditëses është e bazuar dhe vendimi i atakuar duhet të anulohet.

“Nga aktvendimi i kontestuar del se ai përmban të meta të tilla për shkak të të cilave nuk mund shqyrtohet ligjshmëria e tij. Të metat e tilla qëndrojnë në shkeljet thelbësore të dispozitave të Ligjit për Procedurën Administrative. Shkeljet thelbësore të këtyre dispozitave konsistojnë në faktin se me nenin 46 këtij ligji është paraparë se akti administrativ, që në këtë rast nënkupton vendimin e goditur me padi, duhet të përmbajë përveç tjerash edhe një përmbledhje të konstatimeve faktike, bazuar në provat e paraqitura gjatë procedimit administrativ ose në faktet e siguruara nga administrata një deklarim të bazës ligjore në të cilat bazohet akti etj. Akti administrativ duhet të jetë i arsyetuar”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata ka konstatuar se aktvendimi i kundërshtuar është juridikisht i paqartë dhe kundërthënës me vetveten dhe me arsyetimin e tij, duke shtuar se në këtë të fundit nuk janë dhënë arsye mbi faktet vendimtare që kanë kushtëzuar marrjen e vendimit të kundërshtuar.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 22 janar 2018, “Stone Castle” kishte kërkuar që të anulohet vendimi i Komisionit për Shqyrtimin, Vlerësimin e Ankesës pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës.

Paditësja po ashtu kishte kërkuar që të detyrohet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë Prishtinë, që në emër të subvencioneve për verën e prodhuar në vitin 2016 paditëses t’ia paguajë shumën prej 236.707,56 euro, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Paditësja pretendon se me rastin e aplikimit pranë Departamentit të për Vreshtari dhe Verëtari në Rahovec, kishte bashkangjitur tërë dokumentacionin e kërkuar. Në bazë të kësaj ftese subvencionimi do të bëhej për litër verë të prodhuar nga 0.04 euro, por që sipas saj gabimisht e paditura kishte konstatuar se ishte prodhuar më pak verë sesa që ishte deklaruar në aplikim.

Me pretendimin se ky konstatim është i gabuar paditësja po kërkon anulimin e vendimit. /BetimipërDrejtësi