Gjykata aprovon marrëveshjën për pranimin e fajësisë në rastin e të akuzuarit për kontrabandim me migrantë

195090765_488082115629716_5557130216767202339_n
Author

Raporton: Elsa KOLLQAKU dhe Ermira HOXHA

Qershor 9, 2021

PrishtinëGjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të arritur në mes të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të akuzuarit për kontrabandim me migrantë, Sami Qitaku.

Ai akuzohej edhe për veprën penale “krimi i organizuar”, mirëpo për këtë vepër prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimi i kësaj marrëveshje është bërë të mërkurën, nga gjykatësi Musa Konxheli. Ai tha se marrëveshja ishte arritur konform dispozitave ligjore.

Në fillim të seancës, prokurori special Burim Çerkini deklaroi se pas negocimit me të akuzuarin Qitaku dhe mbrojtësin e tij, avokatin Alban Arifi, ka hequr dorë nga vepra penale “krimi i organizuar”.

Ai tha se kështu kishte vepruar edhe me shtatë personat e tjerë që ishin të përfshirë në këtë rast, gjatë arritjes së marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, e për të cilët është shpallur aktgjykimi.

Kështu, Qitaku tani akuzohet vetëm për veprën penale “kontrabandim me migrantë”.

Tutje, prokurori Çerkini i ka propozuar gjykatës që ta aprovoj një marrëveshje të tillë, me arsyetimin se e njëjta përmban të gjitha elementet ligjore, duke përfshirë edhe dënimin e rekomanduar.

“Në çdo detaj është e përshkruar në marrëveshje dhe mendojmë se kjo marrëveshje nga ana e gjykatës duhet të pranohet, meqë është lidhur me vullnetin e palëve në procedurë, duke përfshirë edhe dënimin e rekomanduar, edhe si pjesë e marrëveshjes ne heqim dorë nga ankesa ndaj gjendjes faktike dhe lartësisë së dënimit që është bërë sipas kësaj marrëveshje”, deklaroi prokurori.

Edhe avokati Arifi i propozoi gjykatës që marrëveshja për pranim të fajësisë të aprovohet, me arsyetimin se e njëjta mbështetet në të gjitha provat materiale të rastit konkret.

Po ashtu, avokati Arifi i propozoi gjykatës që nëse aprovohet në tërësi marrëveshja, duke përfshirë edhe dënimin e rekomanduar, i mbrojturi i tij të ketë mundësi që dënimin e shqiptuar nga gjykata ta paguaj me rata, pasi që i njëjti është i papunë.

Ai deklaroi se heqë dorë edhe nga parashtrimi i ankesës, në rast që dënimi i shqiptuar është në përputhje më dënimin e rekomanduar nga marrëveshja.

Ndërkaq, i akuzuari Qitaku deklaroi se qëndron pranë propozimit të mbrojtësit të tij për aprovim të marrëveshjes dhe tha se atë e ka pranuar me vullnet, e se është i vetëdijshëm për dënimin e rekomanduar.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 10 qershor 2021, në ora 09:00.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, avokati Arifi bëri të ditur se dënimi rekomandues marrëveshja për pranimin e fajësisë në mes të PSRK-së dhe klientit të tij është 6 muaj burgim, i cili me pëlqimin e palëve zëvendësohet me dënim me gjobë prej 3,000 deri në 4,000 euro dhe dënim me gjobë 10,000 euro.

Ndryshe, fillimisht në këtë cështje penale akuzoheshin nëntë persona, Burim Krasniqi, Sabri Osmani, Bekim Beqiri, Shaban Krasniqi, Egzon Rrustemi, Milaim Agushi, Valmir Gashi, Ismet Rushiti dhe Sami Qitaku.

Mirëpo, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 3 dhjetor 2020 ishte veçuar procedura për Ismet Rushitin e Sami Qitakun, pasi të njëjtit ishin të paarritshëm për organet e drejtësisë. Kurse shtatë të akuzuarit tjerë, Burim Krasniqi, Sabri Osmani, Bekim Beqiri, Shaban Krasniqi, Egzon Rrustemi, Milaim Agushi dhe Valmir Gashi, ishin deklaruar të pafajshëm.

Por pas seancës fillestare, shtatë të akuzuarit kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me PSRK-në. Kështu, aktgjykimi ndaj tyre është shpallur më 25 janar 2021, me të cilin ata ishin dënuar me 66 muaj burgim dhe 47 mijë euro.

Ndërkaq, meqenëse tani po përfundon gjykimi edhe për Qitakun, gjykata përsëri ka veçuar procedurën për të akuzuarin Rushiti, duke njoftuar se ndaj të njëjtit do të lëshohet letër rreshtim qendror.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 tetor 2013, thuhet se nga fillimi i vitit 2011 e deri më 9 korrik 2012 në Prishtinë dhe territorin e Kosovës,  Burim Krasniqi në bashkëveprim me personat tjerë, Sabri Osmani, Milaim Agushi, Bekim Beqiri, Shaban Krasniqi, Ismet Rushiti, Sami Qitaku dhe Egzon Rustemi dhe Sadat Murati dhe me të akuzuarit Lupco Stojanovcki, Halil Llamallari, Fazlija Kolic, Ekrem Emini, Sokol Sadiku nga Maqedonia, kishin vepruar si grup kriminal, duke kontrabanduar migrantë.

Në aktakuzë thuhet se Burim Krasniqi kishte qenë organizatori i grupit, pasi në podrumin e shtëpisë së tij në Çagllavicë të Komunës së Prishtinës dhe Ismet Rushiti me firmën e tij “Illi Disinge”, kishin prodhuar dokumente të falsifikuara si: pasaporta, kartela bankare, patentë shofer dhe letërnjoftime dhe për këto dokumente kishin kërkuar çmimin prej 800 euro deri në 1,200 euro.

Këto dokumente, sipas prokurorisë, ishin përdorur me qëllim të dërgimit të migrantëve në mënyrë ilegale nga Kosova në shtetet e Bashkimit Evropian.

Ndërsa, Sabri Osmani, Milaim Agushi, Shaban Krasniqi, Egzon Rrustemi, Bekim Beqiri dhe Sami Qitaku thuhet se kishin marrë pjesë në aktivitete kriminale të këtij grupit kriminal, duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në kryerjen e kontrabandimit të migrantëve.

Ata thuhet se kishin kontaktuar me persona të ndryshëm të cilin dëshironin të dilnin në mënyrë ilegale jashtë Kosovës, duke u marrë vesh me ta për çmimin e dokumenteve dhe për udhëtimin.

Tutje, thuhet se të njëjtit pas marrëveshjes, personat e dëmtuar i kishin kaluar nëpër Serbi e pastaj sipas radhës së pritjes i kishin kaluar në këmbë deri e Hungari, duke i shpërndarë me vetura deri në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian, për të cilat udhëtime kishin kërkuar çmimin prej 2,400 deri 2,700 euro për person.

Kështu, në aktakuzë thuhej se Burim Krasniqi, Sabri Osmani, Milaim Agushi, Shaban Krasniqi, Egzon Rrustemi, Bekim Beqiri, Sami Qitaku dhe Ismet Rushitin kanë kryer veprën penale “krimi i organizuar”, lidhur me veprën penale “kontrabandimi me migrantë”.

Burim Krasniqi e Ismet Rushiti thuhet se kanë kryer edhe veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, Valmir Gashi edhe atë “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, pasi thuhet se e kishte ndihmuar Burim Krasniqin që të arratiset nga Kosova, ndërsa Milaim Agushi edhe veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shtija e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotropike”.

Kjo pasi thuhet se ai kishte poseduar pesë qese substancë narkotike e llojit “marihuanë”, me qëllim që t’ia shiste dy personave të mitur K.B dhe S.R, ose t’i shkëmbente me gjësende tjera, ndërsa gjate bastisjes së shtëpisë së tij ishin gjetur 420 gram narkotikë të ndarë në dy qese, ku prej tyre 2.85 gramë ishte “lidokainë”, 2.03 gramë “propylphenazon” të përziera me “acetaminofen”, “kofeinë” dhe “lidokainë” dhe 334.87 gram “kanabis”. /BetimipërDrejtësi