Gjykata aprovon marrëveshjen për pranim të fajësisë, dënohet me 500 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

thumbnail_GJTH-Peje-Foto (1)
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Dhjetor 9, 2020

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të mërkurën, e ka gjykuar me 500 euro gjobë të pandehurin Enver Kelmendi, i cili nga Prokuroria Themelore në Pejë akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, i pandehuri Kelmendi detyrohet që gjobën prej 500 euro ta paguaj brenda afatit 6 mujor, pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.

Zgjatja e afatit për pagesën e gjobës u arsyetua nga gjykatësi Sharraxhiu, duke marrë për bazë pasojat ekonomike që ka shkaktuar pandemia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj të pandehurit u konfiskua një pistoletë të llojit “VB” dhe dy fishekë të kalibrit 7.65mm, ndërsa i njëjti obligohet që të paguajë shumën prej 70 euro në emër të shpenzimeve procedurale, brenda afatit prej 15 ditësh pas vendimit të formës së prerë.

Deri të shpallja e aktgjykimit erdhi pasi Gjykata e Pejës e ka aprovuar marrëveshjen e pranimit të fajësisë, ndërmjet të pandehurit me mbrojtësin e tij të caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatin Adem Nikqi, në njërën anë dhe Prokurorisë së Pejës në anën tjetër.

Kjo marrëveshje parashikonte që gjykata të shqiptojë dënim me gjobë në lartësi nga 500 deri 600 euro, pasi i pandehuri të pranojë fajësinë për veprën penale, si dhe konfiskimin e armës.

I akuzuari me avokatin Nikqi dhe prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj, në seancën e së mërkurën, konfirmuan para gjykatës vullnetin e tyre për dakordimin e marrëveshjes së pranimit të fajësisë, duke propozuar aprovimin e saj.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 15 janar 2020, Enver Kelmendi akuzohet se më 26 dhjetor të vitit të kaluar ka mbajtur në pronësi dhe kontroll të paautorizuar një pistoletë të llojit “VB” dhe dy fishekë të kalibrit 7.65mm.

Këtë pistoletë sipas aktakuzës i pandehuri e ka mbajtur në posedim që nga pas lufta, me çka thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi