Gjykata aprovon kërkesën e Prokurorisë, fton të dëgjohet eksperti financiar për rastin e zyrtarit të QKUK-së

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në gjykimin kundër Gazmend Rushitit, menaxherit të prokurimit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, u aprovua propozimi i prokurores Dulina Hamiti, që të ftohet eksperti financiar Mentor Prekazi. Prekazi në raportin e tij kishte konstatuar se nga ana e të pandehurit Rushiti është bërë shkelja e nenit 61, paragrafi 1 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).

Kjo shkelje sipas prokurorisë kishte të bënte me mos kryerjen e obligimit nga ana e Autoritetit Kontraktues, përkatësisht nga ana e QKUK-së  që të dorëzoj shpjegim dhe zbërthim detal të elementeve të tenderit nga ana e operatorit  N.T “Agimi-De”,

Propozimin e prokurores nuk e pa të  nevojshëm mbrojtësi i të akuzuarit Rashiti, avokati Hilmi Zhitia, i cili tha se është e panevojshëm ardhja e ekspertit që ta mbrojë mendimin që e ka dhënë me shkrim. Zhitia shtoi se nuk sheh ndonjë fakt kontestues që i njëjti duhet ta sqarojë. Lidhur me këtë avokati shtoi se kanë ofruar mjaftë  prova të cilat gjykata do t’i vlerësojë dhe ky mendim i ekspertit do të rrëzohet

Në fjalën hyrëse të prokurorisë, Hamiti tha se kjo aktakuzë e ngritur kundër Rushitit është e mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme dhe të ligjshme, të cilat prova e njëjta shtoi se ia kishte propozuar gjykatës që të administrohen. Sipas Hamitit përmes këtyre provave do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit.

Përderisa, avokati Zhitia në fjalën hyrëse tha se aktakuza është ngritur pa mbështetjen e asnjë prove në shkresat e lëndës dhe krejt çka i vihet në barrë sipas tij është mosrespektimi i nenit 61 paragrafi 1 i Ligjit për Prokurimin Publik dhe asgjë më tepër.

“Aktakuza është mbështetur vetëm në mendimin e një eksperti financiar, mendim ky i kërkuar nga prokuroria, i cili ka konstatuar se nuk është respektuara ky nen”, tha nder të tjera Zhitia.

Avokati theksoi se bëhet fjalë për një procedurë, që i akuzuari dhe shërbimi që i njëjti e ka udhëhequr është respektuar dhe se nuk bëhet fjalë për shkelje të kësaj dispozite për të cilën prokuroria pretendon një gjë të tillë.

Mbrojtësi po ashtu tha se për këto ka ofruar prova, të cilat gjenden në shkresat e lëndës.

“Bëhet fjalë për një letër sqaruese që i ishte dërguar ofertuesit, ku i njëjti edhe ishte përgjigjur”, tha mbrojtësi.

Kjo letër sqaruese sipas avokatit kërkonte sqarim lidhur me çmimin e ofertës, që ishte shumë më e lirë se sa çmimi i zakonshëm për ato shërbime të ofruara.

Ne i kemi dorëzuar gjykatës edhe një sqarim nga Komisioni i Rivlerësimit të Prokurimit Publik (KRPP), kompetent ky për vlerësimin e një lënde si kjo.

Prokurorja lidhur me letrën sqaruese deklaroi se nuk është vërtetuar mënyra se si është siguruar e njëjta dhe se sipas saj mund ta ketë marrë nga internet.

Seanca e ardhshme e këtij procesi gjyqësor pritet të mbahet më 28 shtator, në ora 13:00

I pandehuri Gazmend Rushiti, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 21 korrik 2014, duke shfrytëzuar pozitën e menaxherit të prokurimit në QKUK, ka nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik N.T “Agimi-De”, i cili operator kishte ofruar çmime më të ulëta se zakonisht. Sipas aktakuzës  çmimi i ulët kishte ndikuar që kjo kompani të shpallet fitues i kontratës për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me material për shtyp” me çmim prej 9 mijë e 708 euro. I njëjti sipas prokurorisë nuk ka respektuar nenin 61 paragrafi 1 të ligjit të Prokurimit Publik, i cili e obligon Autoritetin Kontraktues të dorëzoj shpjegim dhe zbërthim detal të elementeve të tenderit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë