Gjykata anulon vendimin e KPK-së për ndërprerjen e kundërligjshme të mandatit të anëtarit të shoqërisë civile, Florent Muqajt, KPK obligohet ta kompensoj për dëmet e shkaktuara

Florent Muqaj
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Prill 9, 2021

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilën në mënyrë të kundërligjshme i ishte ndërprerë mandati ish-anëtarit nga radhët e shoqërisë civile, Florent Muqaj.

Në padi thuhet se në vitin 2014, atij në mënyrë unanime, me votat e anëtarëve të KPK-së i ishte dhënë ky mandat, ndërsa një vit më vonë, në 2015-tën, KPK-ja kishte nxjerr një vendim më të cilin në mënyrë arbitrare i ishte ndërprerë mandati i anëtarit të KPK-së nga radhët e shoqërisë civile, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, pas gjykimit i cili ka zgjatur rreth 5 vite, ka aprovuar padinë e paditësit si të bazuar.

“Obligohet e paditura Këshilli Prokurorial i Kosovës, që paditësit t’ia kompensoj në mënyrë retroaktive pagesën/kompensimin si anëtarë i KPK dhe atë nga data 01.01.2016 kur i është mohuar kjo e drejtë e deri me datën e skadimit të mandatit të paditësit në shumën e përgjithshme të pagave mujore neto 10.548 si dhe interesin në shumën prej 2,443 euro, më pas kontributin personal në këto paga në shumën prej 1,414 euro i cili duhet transferuar në Trustin e Kursimeve Pensionale të paditësit si dhe tatimin në këto paga në shumën prej 290 euro i cili duhet transferuar në Administratën Tatimore të Kosovës, krejt këto në afat prej 15 ditësh, nën kërcënimin e ekzekutimit me dhunë”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Sipas gjykatës, vendimi i atakuar është nxjerr pa u nxjerr asnjë vendim për pushimin e mandatit të anëtarit.

Gjykata konstaton se paditësit me rastin e ekzekutimit të vendimit kontestues i është shkaktuar dëm, ngase i njëjti nuk ka mundur të realizoj të ardhura që kanë buruar nga e drejta e ushtrimit të detyrës së anëtarit të KPK.

Andaj, gjykata duke marr parasysh të gjitha provat e administruara ka vendosur që të anuloj si të kundërligjshëm vendimin e atakuar dhe t’ia njeh të drejtën e kompensimit paditësit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, më 9 shtator 2014, në mënyrë unanime kishte vendosur në përzgjedhjen e anëtarit përfaqësues nga shoqëria civile, Florent Muqaj, një vit më vonë në më 5 nëntor kishte nxjerr një vendim më të cilin kishte shpall konkurs për pozitën e një anëtari të KPK-së nga radhët e shoqërisë civile.

I pakënaqur me vendimin, Muqaj më 23 nëntor 2014, kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative duke kërkuar anulimin e këtij vendimi dhe vërtetimin e mandatit të tij 5 vjeçar në pozitën në të cilën ishte përzgjedhur nga vet Këshilli, në procedura ligjore dhe transparente.

Ai përmes padisë, pretendon se në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij i ishte ndërprerë mandati i anëtarit të KPK-së, nga radhët e shoqërisë civile.

Ndryshe, këtë përmbajtje të vendimit të gjykatës, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e ka konstatuar në hulumtimet dhe analizat ligjore, të publikuara me rastin e ndërprerjes së mandatit të Muqajt, duke e vlerësuar si tërësisht të kundërligjshëm vendimin e KPK-së. /BetimipërDrejtësi