GJENDJA E PËRKEQËSUAR SHËNDETËSORE E LUSHTAKUT SHTYN SEANCËN

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Përgjatë vazhdimit të rastit të njohur për masën e gjerë si “KEK 2” ishte paraparë që gjatë seancës së mërkurë të dëgjohen dhe dy dëshmitarë të tjerë pasi të përfundohet me marrjen në pyetje të dëshmitarit Granit Hasani, drejtor i kompanisë së dëmtuar “Besa Security”. Megjithatë trupi gjykues u kërkoi dy dëshmitarëve Canolli dhe Gashi që të jenë në gjendje gatitshmërie për të dëshmuar përgjatë muajit prill ngase akoma nuk është përfunduar me dëshminë maratonike të Hasanit.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, në lidhje me tenderin e KEK-ut përfshihen kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar tjerë. Sipas prokurorisë, këta shtatë persona, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, ku i akuzuari Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’’, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të ’mashtrimit’ dhe ‘’falsifikimit të dokumenteve’’ në bashkëkryerje’, Driton Pruthi për veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’.

Përgjatë kësaj seance, Hasani iu nënshtrua pyetjeve të Driton Pruthit dhe Arben Gjukajt. Sipas Pruthit, kompania “Besa Security” në çmimin e ofertuar zero nuk kishin përfshirë taksa dhe sipas kushteve të paraparë të tenderit kjo konsiderohej se ishte informatë joadekuate. Ai tha se tenderi ka paraparë që tenderuesit duhet ti sigurojnë informatat e nevojshme në detaje në propozimet e tyre. Nëse jepet informatë joadekuate ofertuesi do merr zero pikë për kriterin e zbatueshëm. Me këtë nuk u dakordua dëshmitari Hasani.

“Nëse flasim për çmimin për sistemin e alarmit të ndërtesave ka qenë adekuat për rastin përkatës”, deklaroi Hasani.

Pruthi po ashtu kërkoi përgjigje se pse në mesazhet e dërguara përmes postës elektronike, “Besa Security” kishte bërë gjithmonë CC vëzhguesin e komisionit të vlerësimit nga Tetratek, Richard Orsmond.

Hasani tha se ka përmendur disa herë se “Besa Security” u është drejtuar instancave të ndryshme jashtë ekzekutivit të KEK-ut, e për më tepër Orsmond ka qenë i autorizuar nga vetë i akuzuari Gjukaj në mënyrë që “Besa Security” t’i shpalosë atij raporte sipas kërkesave që kishte.

Në po këtë e-mail, Pruthi insistoi se “Besa Security” kishte cekur se posedon informata se 7 prej 10 menaxherëve të KEK-ut nuk posedojnë diploma dhe kishin kërkuar të verifikohet një gjë e tillë, megjithatë një gjë e tillë Hasanit nuk i kujtohej. Për më tepër, Pruthi kritikoi Hasanin pse nuk i ishte drejtuar zyrës ligjore të KEK-ut lidhur me një e-mail tjetër që ua kishte drejtuar Gjukajt dhe një mbikëqyrësi tjetër ndërkombëtar Rolands me titull “Informatë plotësuese lidhur me shkeljet ligjore dhe profesionale gjatë rivlerësimit të tenderit”.

Nga ana tjetër i akuzuari Gjukaj, vazhdimisht e pyeste dëshmitarin se a ishte i njoftuar se Prokuroria Speciale e EULEX-it kishte ndërhyrë gjatë nënshkrimit të kontratës mes KEK-ut dhe Security Code duke i marrë dokumentet origjinale të kësaj procedure. Lidhur me këtë dëshmitari tha se nuk i kujtohej.

Gjukaj theksoi se EULEX kishte ndërhyrë më 12 tetor 2012  dhe dokumentet ishin kthyer më 15 nëntor të po atij viti, ndërkaq kontrata mes Security Code dhe KEK-ut kishte filluar të nënshkruhet më 23 nëntor. Për më tepër, ai shpalosi një provë të propozuar nga vetë prokuroria që indikonte se Besa Security i ishte drejtuar EULEX-it me e-mail, lidhur me kontratën kontestuese. Më tej Gjukaj komentoi lidhur me mënyrën se si ishte bërë kalkulimi i pikëve për të arritur deri tek fituesi i tenderit duke shpjeguar të ashtuquajturën “formë të papërcaktuar në matematikë”.

“Pajtohem se çmimi i “Besa Security” me figurë zero (0) ka qenë më i liri po një gjë e tillë nuk lejohet në tender publik. Për më tepër ky tender ka qenë i bazuar në çmimin ekonomikisht më të volitshëm e jo më të lirë”- komentoi Gjukaj.

Kjo seancë u ndërpre me kërkesën e të akuzuarit Sami Lushtakut i cili deklaroi se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.

“Gjykata nuk më ka lejuar të trajtohem në spital, e duke mos u besuar mjekëve vendas më ka mundësuar një mjek të huaj të përgjithshëm i cili nuk ka qenë specialist. Unë kërkoj të trajtohem si çdo qytetar i këtij vendi edhe pse jam i burgosur”- deklaroi Lushtaku.

Më pas, Trupi Gjykues vendosi që t’i largojë të gjitha nga salla, përveç Prokurorit dhe të akuzuarit Lushtaku me mbrojtësin e tij për ta diskutuar këtë çështje sepse sipas Vladimir Mikulës-Kryetarit të Trupit Gjykues, gjendja shëndetësore e të akuzuarve është personale dhe nuk ka pse të shpaloset në publik. Pas këtij diskutimi, u vendos të ndërpritet seanca me qëllim që të respektohen të drejtat e të akuzuarit Lushtaku.

Vazhdimi i kësaj seance do bëhet nesër në Pallatin e Drejtësisë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë