Gjatë pandemisë Gjykata në Rahovec ka pranuar 61 lëndë civile dhe tre kërkesa për paraburgim

Rahovec
Author

Raporton: Avni Berisha

Maj 22, 2020

Rahovec – Nga 16 marsi, kur gjykatat e kanë reduktuar punën e tyre për shkak të koronavirusit, e deri sot, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec janë pranuar 61 lëndë civile për çështje të ndryshme dhe tre kërkesa për paraburgim.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka bërë të ditur zëvendës administratori i kësaj dege, Afrim Gashi.

Lidhur me kërkesat për paraburgim gjatë kësaj periudhe, Gashi ka thënë se dy raste kanë të bëjnë me dhunën në familje, kurse një rast për kanosje.

Ndryshe, pas konfirmimit të rasteve të para pozitive me koronavirus në Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)  kishte marrë vendim për reduktimin e të gjitha aktiviteteve në kuadër të KGJK-së dhe atyre të Gjykatave të Kosovës.

Përmes një njoftimi, KGJK kishte bërë të ditur se kryetarët e gjykatave duhet të caktojnë  gjyqtarët dhe stafin administrativ të mjaftueshëm për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente.

Por, KGJK më 8 maj 2020 përmes një komunikate ka njoftuar se, ka marrë vendim që të shtohet aktiviteti i punës në të gjitha gjykatat e vendit.

Sipas komunikatës, përveç rasteve urgjente të cilat ishin trajtuar që nga data 13 mars 2020, gjykatat prej 8 majit do të trajtojnë edhe rastet tjera ku nuk është e nevojshme prezenca e palëve. /BetimipërDrejtësi