Gjatë 24 orëve PK raporton për 25 raste të ndodhura në tërë Kosovën që lidhen me vepra të ndryshme penale

Policia
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Maj 22, 2020

Prishtinë – Policia e Kosovës (PK), në raportin 24 orësh, ka njoftuar për regjistrimin e 25 rasteve për vepra të ndryshme penale, të ndodhura në gjithë territorin e Kosovës.

Nga këto 25 raste, një prej tyre lidhet me veprën penale të vrasjes në qytetin e Gjakovës dhe një tjetër me veprën penale të trafikimit me njerëz në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas raportit, një rast me fajde ka ndodhur në Gjilan,  ndërsa një rast i cenimit të fshehtësisë së korrespodencës dhe bazave të të dhënave kompjuterike është regjistruar në Gjakovë.

Ndryshe, në 25 rastet e pasqyruara në raportin e PK-së, përfshihen veprat penale “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, “trafikim me njerëz”, “dhunë në familje”, “lëndim i lehtë trupor”, “lëndim i rëndë trupor”, “mosveprim sipas dispozitave gjatë epidemisë”, “fajde”, “armëmbajtje pa leje”, “vjedhje”, “vjedhje e rëndë”, “kanosje”, “vrasje”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “falsifikim dokumentesh”, “cenim i fshehtësisë së korrespodencës dhe të dhënave kompjuterike”.

Tutje, gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar edhe 33 aksidente trafiku, ndërkaq janë shqiptuar 925 tiketa. /BetimipërDrejtësi