Gjashtë vite pas kthimit në rigjykim, dështon të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për armëmbajtje, falsifikim e narkotikë

Blerim Nitaj
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Qershor 17, 2020

Prishtinë – Pas gjashtë vitesh nga kthimi në rigjykim nga Gjykata e Apelit, ka dështuar të nis gjykimi ndaj të akuzuarve për vepra të ndryshme penale, Milan Steviq, Radovan Zhiviq dhe Blerim Nitaj.

Ata akuzohen për vepra penale “blerja, posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope”, ndërkaq të akuzuarit Zhiviq dhe Nitaj akuzohen edhe për veprat penale “pranimi i mallrave të vjedhura”, “mbajtja në kontrolle, pronësi apo posedim të paautorizuar të armëve” dhe “falsifikim i dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarve Steviq dhe Zhiviq, për çkakKryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi–Jashanica njoftoi se nuk ka prova se të njëjtit janë ftuar me rregull.

Ndërkaq në seancë prezantoi i akuzuari Blerim Nitaj, bashkë me avokatin e tij, Aziz Rexha.

Në seancë ishte i pranishëm edhe avokati Hasan Rexha, i cili njoftoi gjykatën se kishte qenë mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin Steviq.

Rexha njoftoi gjykatën se ka informata se i mbrojturi i tij ka ndërruar jetë, për çka i propozoi gjykatës që të kërkoj informata nga Komuna lidhur me aktvdekjen.

Seanca u shty për afat të pacaktuar, deri në sigurimin e informatave lidhur me vdekjen e të akuzuarit Steviq.

Ndryshe ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 8 tetor të vitit 2014, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit.

Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, më 2 maj 2012, të akuzuarit Steviq, Zhiviq dhe Nitaj i ngarkonte me veprën penale “blerja, posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope”.

Kjo pasi që pas marrëveshjes paraprake në mes vete, janë furnizuar me substanca narkotike të shpallura të rrezikshme e me qëllim të shitjes së tyre, ashtu që nga persona të panjohur kanë blerë sasinë prej 3 kg, të cilën pastaj e kanë shpërndarë.

I akuzuari Zhiviq, duke e ditur se vetura Reno Megane, është e vjedhur e pasi që atë e ka siguruar në mënyrë të panjohur e ka fshehur në garazhin e të dashurës së tij Maja Demiq.

Me çka akuzohet se ka kryer veprën penale “pranimi i mallrave të vjedhura”.

I njëjti akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në kontrolle, pronësi apo posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që të njëjtit i ishte gjetur pa autorizim pistoleta “Cërvena Zastava” gjatë bastisjes nga ana e policisë.

Zhiviq ngarkohet edhe me veprën penale “falsifikim i dokumentit” pasi që  duke e ditur se vula e rrumbullakët është e falsifikuar, e ka përdorur atë në dokumentin origjinal të librezës.

Zhiviq në bashkëkryerje me të akuzuarin tjetër Blerim Nitaj, kishte kryer veprën penale “pranimi i mallrave të vjedhura”, pasi që  i akuzuari Zhiviq pasi që siguron veturën e tipit “Toyota” me regjistrim të Bonjës, duke e ditur që ishte e vjedhur në Bosnje, e dërgon në autoservisin e të akuzuarit Nitaj, ku më pas e servisojnë dhe e shesin.

I akuzuar në këtë rast është edhe Bekim Ahmeti, për veprën penale të armëmbajtjes, por për të është pushuar procedura. /BetimipërDrejtësi