GJASHTË MUAJ DËNIM ME KUSHT PËR ISH-LLOGARITARIN E SHOQATËS “PERSPEKTIVA FSHATARE” NË KLINË

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Lumturije Muhaxheri, i ka shqiptuar dënim me kusht ish-llogaritarit të Shoqatës “Perspektiva Fshatare”, në fshatin Jashanicë, Komuna e Klinës, Rasim Marmullaku, i akuzuar për veprën penale ‘përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës’.

Trupi gjykues i ka shqiptuar dënim me kusht, burgim prej gjashtë muajsh, me kushtin që në periudhën kohore prej 1 viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Prokurorja Sahide Gashi në fjalën përfundimtare deklaroj se bazuar në provat e administruara dhe dëshmitë e dëshmitarëve, rezulton që i akuzuari ka kryer veprën penale të përshkruar në aktakuzë. Tutje, prokurorja Gashi kërkoi nga trupi gjykues, që gjatë vendosjes, të akuzuarit t’i shqiptoi dënim sipas dispozitave ligjore, si dhe dënimin plotësues pagesën në buxhetin e shtetit të shumës prej 1.460 euro.

I akuzuari Marmullaku nga ana tjetër ritheksoj faktin se e gjitha kjo është si shkak i një gabimi teknik që i ka ndodhur gjatë punës, duke potencuar faktin se tani nuk është i dëmtuar as klienti, por as Kreditimi Rural i Kosovës.

Ndryshe, kjo seancë u mbajt në zyrën e gjyqtares Lumturije Muhaxheri, kjo siç u tha, për shkak të pengesave me rrjetin e internetit dhe problemeve në përpilimin e procesverbalit.

Prokuroria Themelore në Pejë e akuzonte Rasim Marmullakun, se në cilësi të personit përgjegjës në Shoqatën “Perspektiva Fshatare”, në fshatin Jashanicë, KK Klinë, kishte përvetësuar shumën e të hollave prej 1.359,55 euro. Sipas prokurorisë, këto mjete i kishte marrë prej Fazli Berishës në emër të mbylljes së kredisë, ndërsa të njëjtat nuk i kishte dorëzuar në KRK, përmes llogarisë bankare në NLB Bank. Prokuroria pretendon se kjo ngjarje ka ndodhur në dhjetor 2011.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë