Gjashtë muaj burgim ndaj të akuzuarit për rrezikim të sigurisë në vendin e punës
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – I akuzuari për veprën penale “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” Mursel Bytyqi, pas pranimit të fajësisë u dënua me gjashtë muaj burgim efektiv. Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari individual i çështjes Mustaf Tahiri të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Tani i dënuari Bytyqi me akuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, akuzohej për veprën penale në fjalë sepse më 5 shkurt 2013, në Ferizaj, në cilësinë e personit përgjegjës-mbikqyrës i punëve të firmës “Hidroterm” e cila firmë ka qenë duke ekzekutuar punimet në objektin ndërtimor në ndërtim e sipër, nga pakujdesia nuk kanë ndërmarr masat e nevojshme të sigurisë në kryerjen e punëve në vend-punishte. Për pasojë punëtori Milaim Beqaj, deri sa ishte duke punuar me beton bie nga lartësia prej njëmbëdhjetë (11) metrave, ku merr lëndime trupore dhe si pasojë e këtyre lëndimeve ndërron jetë.
Në seancën e së enjtes, para shpalljes së aktgjykimit, i pandehuri Mursel Bytyqi pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohej, duke shtuar se i vie shumë keq për atë që ka ndodhur dhe se asnjëherë nuk e kishte menduar se do të ndodhte një gjë e tillë. Ndërsa mbrojtësi i tij me autorizim, avokati Avni Ibrahimi lidhur me caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit ndaj të mbrojturit të tij propozoi gjykatës që në përputhje me ligjin, t’i shqiptoj sanksion penal të zbutur, duke e arsyetuar propozimin e tillë me rrethanat lehtësuese në favor të pandehurit. Avokati theksoj se i pandehuri e ka pranuar fajësinë, ka shprehur keqardhje të thellë për atë që ka ndodhur, i ka ofruar ndihmë tani të ndjerit në ditën kritike, pastaj faktin se familja e të dëmtuarit nuk i janë bashkangjitur ndjekjes penale si dhe theksoi se i mbrojturi i tij ka kompensuar familjen e të dëmtuarit.
Gjyqtari individual i çështjes Mustaf Tahiri me rastin e shpalljes së aktgjykimit, theksoi se gjykata ka marrë parasysh të gjitha rrethanat e posaçërisht rrethanat lehtësuese dhe ka zbatuar dispozitat ligjore ku parashihet zbutje të dënimit, me ç’rast të pandehurit i shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj.