GJASHTË MUAJ BURGIM ME KUSHT DHE 300 GJOBË PËR GJUAJTJE ME ARMË NË DASMË
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Gazmend Sadiku i cili akuzohej për veprat penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” si dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, pas pranimit të fajësisë u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë. Po ashtu ju konfiskua arma – revole me gaz të markës “bereta” e kalibrit 8 mm, 12 fishekë dhe një karikator.
Aktgjykimi ndaj Sadikut u shpall të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj nga Kryetarja e trupit gjykues Hysnije Gashi.
Sadikut për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, iu shqiptua dënimi me gjobë në shumën prej 300 euro. Ndërsa për veprën e dytë penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” iu shqiptua dënimi me gjashtë muaj burgim me kusht. Gjithashtu u obligua që Gjykatës t’i paguaj 50 euro për shpenzimet procedurale.
Sipas pikës 1 të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Gazmend Sadiku akuzohej sepse në shtëpinë e tij në fshatin Lloshkobare në Ferizaj, ka mbajtur në posedim pa autorizim armën në kundërshtim me Ligjin mbi Armët, dhe atë një revole me gaz të markës “berreta” e kalibrit 8 mm, 12 fishekë dhe një karikator .
Sipas pikës 2 të aktakuzës Sadiku derisa kishte qenë në një dasmë në familje, kishte dalë në rrugë dhe kishte shkrepur katër fishekë të gazit nga revolja e markës “bereta” e kalibrit 8 mm.