Gjashtë muaj burg ndaj të akuzuarit që pranoi se në shtëpi kishte kultivuar bimë narkotike

IMG_6944
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Korrik 11, 2019

Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv, të akuzuarit për kultivim të bimëve narkotike, Ilir Provolija.

Aktgjykimi është shpallur në seancën fillestare të së enjtes, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë.

Pas udhëzimit nga ana e gjykatëses Hysnije Gashi, lidhur me të drejtat dhe detyrimet e të pandehurit në këtë procedurë gjyqësore, si dhe pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Veton Shabani, i akuzuari ka thënë se e ndien veten fajtor, raporton “Betim për Drejtësi”.

Të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, për të cilën, gjykatësja Gashi tha se do t’i ndërpritet, sapo të merr formën e prerë aktgjykimi.

Po ashtu, i akuzuari Provolija është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro, si dhe shumën prej 50 euro në emër të kompensimit të fondit të viktimave.

Ndryshe, pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Shabani, i cili tha se ky pranim është bërë në mbështetje të ligjit, si dhe në provat e siguruara dhe të administruara gjatë fazës së hetimeve.

“Meqë ky pranim është bërë në këtë shqyrtim fillestar, si dhe në të gjitha fazat e procedurës, i propozoj gjykatës që të bëj pranimin e fajësisë, dhe ta merr këtë fakt si rrethanë lehtësuese për matjen e dënimit. Sa i përket masës së paraburgimit, meqë i njëjti e ka pranuar fajësinë, i propozoj gjykatës që ta ndërpresë këtë masë”, ka thënë Shabani.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Provolija, avokatja Saranda Provoliu, ka kërkuar që si rrethanë lehtësuese për shqiptimin e dënimit, të merret parasysh fakti se i mbrojturi i saj ka bërë pranimin e fajësisë dhe se qëllimi i vetëm i tij ishte konsumimi personal.

Pas kësaj, gjykata mori aktvendim me të cilin ka aprovuar pranimin e fajësisë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 3 korrik 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Ilir Provolija, akuzohet se në ballkonin e shtëpisë së tij, përkatësisht në fshatin Soponicë të Komunës së Shtimes, kishte kultivuar bimë narkotike.

Siç thuhet në aktakuzë, ai kishte mbjellë katër vazo të luleve me bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa (marihuanë), të cilat kishin arritur gjatësinë prej 10 – 50 cm, ku pas kontrollit nga policia, këto lëndë narkotike ishin sekuestruar.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi