Gjashtë muaj burg ndaj të akuzuarit që pranoi fajësinë për aksidentin ku kishte humbur jetën ngasësi i motoçikletës

Enver Hamza
Author

Raporton: Avni BERISHA

Shkurt 11, 2020

Rahovec – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, njëjtë si në gjykimin e parë, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim të akuzuarin për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, Enver Hamza.

Pas rasti ishte kthyer në rigjykim, aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në dënimin me burgim, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 8 korrik 2017. deri më 7 shtator 2017, ndërsa pjesa tjetër e mbetur prej katër muajsh me pëlqimin e të akuzuarit, i është zëvendësuar me dënim me gjobë, në shumën prej 2000 euro.

Dënimin me gjobë, i akuzuari Hamza, detyrohet ta paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në të kundërtën gjoba prej 2000 euro do të zëvendësohet me burgim.

Gjykatësi Shabani, po ashtu i njoftoi palët prezente se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari është obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale dhe atë në emër të ekspertizës mjekoligjore shumën prej 20.88 euro, për ekspertizën e komunikacionit në shumën prej 40.88 euro dhe shumën prej 50 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Ndërsa, të dëmtuarin e ka udhëzuar në kontest juridiko-civil.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë dega në Rahovec, më 20 shkurt 2019, kishte marrë aktgjykim me të cilën të akuzuari Hamza e kishte shpallur fajtor për aksident trafiku me fatalitet.

Gjykata e kishte dënuar të akuzuarin me gjashtë muaj burgim, në të cilën i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër i ishte zëvendësuar në gjobë.

Ndërsa, pas ankesës së palëve, Gjykata e Apelit, e ka anuluar këtë aktgjykim sipas detyrës zyrtare për shkak të shkeljeve esenciale dhe rasti është kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se në aktgjykimin ndaj të pandehurit Hamza ka shkelje esenciale për arsye se gjykata ka paraparë që në rast të mos pagesës së dënimit me gjobë prej 2000 euro, në afatin e paraparë, të njëjtit do t’i revokohet dënimi dhe  do t’i zëvendësohet  dënimi në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Sipas kolegjit të Apelit, zëvendësimi i dënimit në këtë mënyrë është në kundërshtim me nenin 47 të KPRK-së, për shkak se në momentin e zëvendësimit të dënimit me burgim në dënim me gjobë, dënimi me burgim suspendohet dhe hynë në fuqi dënimi me gjobë, kurse në rast të pamundësisë së pagesës së dënimit me gjobë, atëherë sipas Apelit, duhet aplikuar dispozitat e dënimit me gjobë, siç është përcaktuar në nenin 46 të KPRK-së, që nënkupton se një ditë burg është e barabartë me 20 euro të gjobës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 29 nëntor 2017, ndaj Enver Hamzës, duke e ngarkuar atë me veprën penale “rrezikim i trafikut publike”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me 8 korrik 2017 rreth orës 17:10 në rrugën rajonale Rahovec-Xërxe, nga pakujdesia rrezikon trafikun publik dhe jetën e njerëzve.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja kishte ndodhur në fshatin Ballacërrk, ku i pandehuri Hamza, duke drejtuar automjetin e markës “Mercedes 210 D” ka rrezikuar trafikun publik në përmasa të mëdha edhe jetën e të ndjerit L.M, ashtu që me të arritur në udhëkryqin tek pompa e derivateve “Klora Petroll” që lidhet me rrugën lokale për fshatrat Sopniq e Potoqan, duke mos i dhënë përparësi kalimi krahut të djathtë dhe duke mos pasur kujdes të shtuar e godet në pjesën frontale, tani të ndjerin L.M, që po ngiste motoçikletën.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtij aksidenti lëndime të rënda trupore pëson, tani i ndjeri, i cili për ndihmë mjekësore dërgohet në QKUK në Prishtinë dhe me 16 korrik 2017, ndërron jetë në repartin intensiv. /Betimipërdrejtësi