Gjashtë mësimdhënëse kërkojnë mbi 8 mijë euro kompensim për shujta dhe shpërblim jubilar nga Komuna e Prishtinës

Pallati (2)
Author

Raporton: Nuraje BLLACA

Qershor 10, 2021

Prishtinë – Me pretendimin se sipas Kontratës Kolektive të Arsimit u takon kompensimi i pagave jubilare dhe shujtave ditore, gjashtë mësimdhënëset e shkollës fillore ‘‘Hilmi Rakovica’’ në Prishtinë, Afërdita Mekolli, Pranvera Muçiçi, Zahide Mustafa, Minire Ademi, Vjollca Sahiti dhe Elfete Zeqiri, po kërkojnë 8,269.25 euro nga Komuna e Prishtinës. 

Lidhur me këtë, të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca përgatitore, raporton “Betimi për Drejtësi.”

I autorizuari i paditëseve, avokati Labinot Buzuku deklaroi se mbesin në tërësi pranë kërkesëpadinë, duke i propozuar gjykatës që e njëjta të aprovohet në tërësi si e bazuar.

Për secilën paditëse veç e veç, ai i dorëzoi gjykatës vërtetimet për ditët e pranisë në punë si dhe listat e pagave të buxhetit të Kosovës, së bashku me precizimin e kërkesëpadisë.

Ndryshimin e padisë në kuptimin objektiv sipas parashtresës së 10 qershorit 2021, të dorëzuar në këtë seancë, e lejoi gjykatësi Nexhat Qallapeku.

Ndryshe, përfaqësuesi i të paditurës nuk ka prezantuar, ndonëse sipas gjykatës e paditura ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mos prezencën në këtë seancë nuk e ka arsyetuar.

Seanca e shqyrtimit kryesor është caktuar më 22 korrik 2021, në ora 09:15.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 20 maj 2020, paditëset Afërdita Mekolli, Pranvera Muçiçi, Zahide Mustafa, Minire Ademi, Vjollca Sahiti dhe Elfete Zeqiri, kanë paditur Komunën e Prishtinës, konkretisht Drejtorinë Komunale të Arsimit, për kompensimin e pagës jubilare dhe ushqimit ditor.

Në padi thuhet se paditëset janë të punësuara në shkollën fillore ‘‘Hilmi Rakovica’’ në Prishtinë, si mësimdhënëse klasore dhe se e paditur nuk e ka bërë kompensimin e pagave jubilare dhe kompensimin e ushqimit ditor në lartësi prej 2 euro, dhe atë nga 18 prill 2017.

Andaj, mbi bazën e Kontratës Kolektive të Arsimit, paditëset po kërkojnë që të obligohet e paditura që paditëseve t’ua paguajë shumën e të hollave të precizuar në parashtresë, me kamatë ligjore prej 8%, nga dita e parashtrimit të padisë, si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndërsa, sipas parashtresës së 10 qershorit 2021 për ndryshim të padisë në kuptim të zmadhimit të kërkesëpadisë, të njëjtat kanë kërkuar shumën prej 8,269.25 euro, lidhur me kërkesën për kompensimin e shpërblimit jubilar për përvojën e punës si dhe ushqimit për ditët e pranisë në punë.

Kështu që, për paditëset Afërdita Mekolli, Pranvera Muçiçi, Zahide Mustafa, Minire Ademi dhe Elfete Zeqiri është kërkuar shuma prej 1,395.75 euro, për secilën paditëse veç e veç ndërsa për paditësen Vjollca Sahiti shuma prej 1,290.50 euro.

Të gjitha këto, kërkon me kamatë ligjore prej 8% në vit, nga data e marrjes së aktgjykimit, e deri në pagesën definitive si dhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 1,089.60 euro.