Gjashtë muaj burgim me kusht për të akuzuarin që shkaktoi aksident me traktor në 2017-ën ku u lënduan dy persona

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të hënën ka shqiptuar dënim me kusht në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh ndaj të akuzuarit M.R., për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit R. është shpallur në pani të tij, nga gjykatësit Selman Salihi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi në kohëzgjatje prej gjashtë muajve nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti në afat prej dy vitesh nuk kryen vepër tjetër penale.

Të dëmtuarit Rr.R. dhe B.R. për kërkesën pasurore juridike udhëzohen ta realizojnë në procedurë të rregullt gjyqësore.

Ndërsa, obligohet i pandehuri R. që në emër të shpenzimeve të procedurës penale kësaj gjykate t’ia paguajë, shumën prej 90.88 për paushall gjyqësor, shumën prej 20 euro si dhe për shumën prej 30 eurove në Fondin e Mbrojtjës së Viktimav të Krimit, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcenimin e përmbarimit të dhunshëm.

Në lidhje më këtë rast ishte i akuzuar edhe Rr.R., mirëpo ndaj të njëjtit ishte veçuar procedura.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 4 qershor 2018, M.R. dhe Rr.R. po ngarkohen me veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Sipas aktakuzës, më 26 qershor 2017, në fshatin Rubofc, Komuna e Lipjanit, i pandehuri duke e drejtuar traktorin e tipit “Tafe”, i cili ishte pa targa të regjistrimit, nga pakujdesia ka rrezikuar komunikacionin dhe ka vënë në rrezik jetën dhe trupin e njerëzve.

Siç thuhet në aktakuzë, gjatë kthimit në të majtë pa u siguruar që këtë veprim mund ta bëjë pa i penguar dhe rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, ka goditur në mes të rimorkios nga automjeti i tipit “VW Golf 19E”, të cilin e drejtonte i pandehuri Rr.R.

Në aktakuzë thuhet se Rr.R.po ashtu ka rrezikuar komunikacionin, duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet dhe rrethanat e krijuara në rrugë.

Tutje sipas aktakuzës, si pasojë e këtij aksidenti lëndime të lehta trupore kanë pësuar të dëmtuarit R.R. dhe i dëmtuari B.R., kurse lëndime të rënda trupore ka pësuar i pandehuri Rr.R.

Për këtë, M.R.  po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 378, paragrafi 8, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafi 1 të KPRK-së”, ndërsa i pandehuri Rr.R. akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 paragrafi 8, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafi 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë