Gazmend Rushiti i akuzuar për keqpërdorim të detyrës lirohet nga akuza në mungesë të provave
Raporton: Arbelina DEDUSHAJ
Prishtinë- Menaxheri i prokurimit në Qendrën Klinike Universitare, Gazmend Rushiti u lirua nga akuza për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi nga akuza Rushitin, pasi nuk është provuar se i njëjti kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Për ta dëgjuar vendimin e trupit gjykues ishte vetëm i akuzuari dhe mbrojtësi i tij avokati Hilmi Zhitia, ndërsa prokurorja e rastit Dulina Hamiti nuk u paraqit fare.
Rushiti akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se më 21 korrik 2014, duke shfrytëzuar pozitën e menaxherit të prokurimit në QKUK, ka nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik N.T “Agimi-De”, i cili operator kishte ofruar çmime më të ulëta se zakonisht. Sipas aktakuzës çmimi i ulët kishte ndikuar që kjo kompani të shpallet fitues i kontratës për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me material për shtyp” me çmim prej 9 mijë e 708 euro. I njëjti sipas prokurorisë nuk ka respektuar nenin 61 paragrafi 1 të ligjit të Prokurimit Publik, i cili e obligon Autoritetin Kontraktues të dorëzoj shpjegim dhe zbërthim detal të elementeve të tenderit.