GANI IBRAHIMI PRANON FAJËSINË PËR DEKLARIM TË RREMË, DËNOHET ME KUSHT ME BURGIM PREJ 1 VITI DHE ME GJOBË 700 EURO

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj –  Gani Ibrahimi i akuzuar për veprën penale “deklarim i rremë”, e ka pranuar fajësinë të hënën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, e cila e ka dënuar me kusht me burgim në kohëzgjatje prej një viti, si dhe me dënim me gjobë në vlerë prej 700 eurove.

Gani Ibrahimi në aktakuzën e ngritur nga prokurori Shukri Jashari, akuzohet se në cilësinë e dëshmitarit në procedurën kundërvajtese kishte dhënë dëshmi të rreme në atë mënyrë që kishte dëshmuar se kishte aksidentuar një person të panjohur, dhe për të cilën deklaratë ishte inicuar rasti në Stacionin Policor në Ferizaj për Kundërvajtje dhe më pas i njëjti kishte realizuar kompensim material nga kompania e sigurimit “Sigma” në shumën prej 217 eurove edhe pse e kishte ditur se vetura e tij ishte aksidentuar me personin qe e kishte njohur dhe me të cilin ishin marrë vesh për kompensim të dëmit material prej 200 eurove.

Ndërkaq, i akuzuari Fadil Sejdiu si polic i patrullës në Stacionin Policor në Ferizaj nuk kishte përmbushur detyrat zyrtare me qellim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, duke kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje, me rastin e deklarimit rreth fajësisë, i akuzuari i parë Fadil Sejdiu, ka deklaruar se nuk ndihet fajtor për veprën për të cilën akuzohet, kurse i akuzuari tjetër Gani Ibrahimi e ka pranuar fajësinë dhe të njëjtit gjykatësi Ibrahim Idrizi e ka dënuar me kusht me burgim në kohëzgjatje prej një viti, si dhe me dënim me gjobë në vlerë prej 700 eurove.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Sejdiu, është veçuar procedura penale dhe ndaj tij do të zhvillohet procesi gjyqësor.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë