Ftohet të dëgjohet ekspertja financiare në rastin ku paditësja pretendon se ishte lënduar nga goditja e automjetit

Pallati i Drejtësisë (2)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Shtator 9, 2019

Prishtinë – Me pretendimin se në janar të vitit 2015, në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, në vendkalimin për këmbësor ishte goditur nga një automjet, Ardiana Dili, në prill të atij viti, kishte ushtruar padi ndaj kompanisë së sigurimeve “Dardania”.

Për këtë, ajo po kërkon nga kjo kompani, kompensimin e dëmit, në shumë prej mbi tremijë eurosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor, ku palët ndërgjygjëse janë deklaruar rreth ekspertizës financiare, të 31 marsit 2019.

Përfaqësuesi i paditëses, avokati Ali Kryeziu, lidhur me ekspertizën financiare të punuar nga ekspertja Gresa Shabani, nuk ka pasur vërejtje, për të cilën ka kërkuar nga gjykata që të pranohet në tërësi.

Ai ka thënë se ekspertiza financiare është në tërësi e pranueshme dhe se e njëjta është mbështetet në dispozitat e LMD-së dhe në rregulloren e BQK-së.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, Fatlum Shala, lidhur më ekspertizën financiare ka pasur vërejtje.

Ai ka kërkuar nga gjykata që të bëhen ekspertiza të neurologjisë, psikiatrisë, ortopedisë dhe mjekësisë së punës nga grupi prej tre ekspertëve.

Gjykatësja e rastit, Hidajete Gashi, pas dëgjimit të palëve ndërgjygjese, ka deklaruar se për seancën e radhës është e nevojshme të dëgjohet ekspertja financiare Shabani, për ta sqaruar ekspertizë e saj.

Ajo tha se pas dëgjimit të ekspertes Shabani, do të vendoset lidhur me propozimet e përfaqësuesit të të paditurës për marrjen e provave lëmi i ortopedisë, psikiatrisë neurologjisë dhe mjekësisë së punës.

Seanca e radhës këtë rast pritet të mbahet më 8 tetor 2019, duke filluar nga ora 10:00, ku do të dëgjohet ekspertja financiare Shabani.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 20 prill 2015, pretendohet se më 19 janar 2015, në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, thuhet se paditësja Dili, përderisa kishte qenë duke kaluar në vendkalimin e këmbësorëve ishte goditur nga një minibus, të cilin e drejtonte Sadri Alushi.

Siç thuhet në padi, si pasojë e këtij aksidenti paditësja kishte pësuar lëndime të rënda trupore, dhembje fizike dhe frikë.

Bazuar në padi, deri te aksidenti kishte ardhur me fajin e ngasësit të automjetit, i cili nuk e kishte përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet dhe rrethanat e rrugës.

Në padi thuhet se shkaktari i aksidentit në momentin e aksidentit kishte qenë i siguruar te e paditura.

Prandaj, me anën e kësaj padie, paditësja po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura që në emër të dëmit material dhe jo material të shkaktuar si pasojë e aksidentit t’ia kompensojë shumën prej 3,100.00 euro. /BetimipërDrejtësi