Pejë – Gjykata e Pejës, pas propozimit të prokurorisë, e fton në sqarim ekspertin e komunikacionit Kreshnik Rugova, në çështjen penale për rrezikim të trafikut publik, ndaj të akuzuarit Mustaf Demaj.
Ky vendim është marrë nga gjyqtari Shaqë Curri, në seancën e shqyrtimit gjyqësor, të mbajtur të mërkurën, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Në këtë gjykim, në fjalën hyrëse, prokurorja e shtetit Lumturije Hoxha deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor, pas dëgjimit të dëmtuarit Shpejtim Zenunaj, të akuzuarit Mustaf Demaj, dhe pas administrimit të provave materiale, do të vërtetohet se aktakuza është e bazuar, dhe e mbështetur në ligj.
Ndërsa i pandehuri Demaj, në fjalën e tij hyrëse, deklaroi se është i kënaqur që këtu i dëmtuari Shpejtim Zenunaj ka shpëtuar gjallë nga aksidenti.
Tutje Demaj deklaroi ka vërejtje lidhur me ekspertizën e komunikacionit, sepse sipas tij atë natë ai ka qenë i ndalur me veturë, si dhe goditja ka ndodhur me anën e majtë të saj, dhe jo siç përshkruhet në akuzë.
‘‘Gjatë shqyrtimit gjyqësor të vërtetohet se unë jam i pafajshëm për këtë vepër penale’’, ka theksuar i akuzuari Demaj.
Fjalën e prokurores e ka mbështetur edhe i dëmtuari Shpejtim Zenunaj.
Kurse më pas, prokurorja Hoxha, deklaroi se meqenëse i akuzuari Demaj ka vërejtje lidhur ekspertizën e komunikacionit, atëherë i propozoi gjykatës që eksperti i cili e ka punuar ekspertizën të ftohet në sqarim për seancën e radhës.
‘‘Pasi i pandehuri ka vërejtjeje në ekspertizën e komunikacionit, propozoj që në shqyrtimin e ardhshëm të ftohet eksperti i komunikacionit, Kreshnik Rugova, i cili është përpilues i ekspertizës dhe i njëjti të jap sqarime lidhur me ekspertizën’’, ka deklaruar prokurorja Hoxha.
Një propozim të tillë, nuk e kundërshtoi i dëmtuari Zenunaj dhe as i akuzuari Demaj, e më pas e aprovoi edhe gjyqtari Curri.
Sipas gjyqtarit Curri, seanca e radhës do të mbahet me 29 mars 2021, në ora 14:00, për kur eksperti i komunikacionit, Kreshnik Rugova do të ftohet përmes ftesës së rregullt.
Kurse palët prezentë për datën e seancës së radhës u njoftuan përmes procesverbalit.
Prezent në gjykim ishte i akuzuari Mustaf Demaj, i dëmtuari Shpejtim Zenunaj dhe prokurorja Lumturije Hoxha.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë me 28 maj 2019, i pandehuri Mustaf Demaj po akuzohet se me 18 mars 2019, në rrugën Pejë- Mitrovicë, pikërisht në fshatin Vitomericë, Komuna e Pejës, nga pakujdesia shkel nenin 41 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Në akuzë thuhet se përderisa i akuzuari ishte me veturën e tij të tipit ‘‘VË Touareg’’, kur arrin në vendin e lartcekur, duke mos u siguruar se me një veprim të tillë e rrezikon apo i pengon pjesëmarrësit tjerë në trafik, ndërmerr veprimin e kthimit majtas nga rruga kryesore në rrugën dytësore, duke kaluar nga shiriti i djathtë në atë të majtë dhe me këndin e parë të anës së djathtë e godet motoçikletën e tipit ‘‘Piago Liberz 124 cc’’, të cilin e drejtonte i dëmtuari Shpejtim Zenunaj dhe i njëjti pos dëmit material pëson edhe dëmtime të rënda trupore.
Për këto veprime, i akuzuari Mustaf Demaj akuzohet për veprën penale ‘‘Rrezikim i trafikut publik’’, nga neni 378 par.8 lidhur me par. 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi