Ftohet në sqarim eksperti i gjeodezisë në gjykimin për anulim kontrate dhe vërtetim pronësie

Raporton: Alban MEHMETAJ

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, të enjtet, ka aprovuar propozimin për të ftuar në seancën e radhës për sqarim, ekspertin nga lëmia e gjeodezisë Naim Demaj, në rastin ku paditësi Muzli Agjaj po kërkon që të anulohet kontrata mbi shitblerje të paluajtshmerisë e lidhur në mes të paditurve Sylë Agjaj dhe Muhamet Shoshaj, dhe të vërtetohet se ai është pronar i paluajtshmërisë që është objekt i padisë.

Propozimin për të ftuar ekspertin e gjeodezisë Naim Demaj në sqarim e ka bërë, i autorizuari i paditësit, avokati Sefer Desku, pasi që i njëjti ka pasur vërejtje në ekspertizën e punuar me shkrim nga i njëjti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Desku lidhur me ekspertizën e lartcekur ka deklaruar se eksperti i gjeodezisë është dashur që ekspertizës së nxjerrë në formë të shkruar t’i bashkëngjis edhe historiatin e pronës si dhe ortofotot  nga periudha 2000-2021.

“Po ashtu, dua të shtoj se në ekspertizën e gjeodezisë nuk është definuar qartë se sa sipërfaqe mban pala e paditur.”, ka thënë Desku.

Pas aprovimit të propozimit për të ftuar ekspertin Demaj për sqarim, gjykatësi Shemsedin Haxhijaj ka bërë të ditur se seanca e radhës do të mbahet më 20 janar 2022.

Ndryshe me anë të padisë së ushtuar në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, më 10 janar 2018, paditësi Muzli Agjaj, po kërkon që të anulohet kontrata mbi shitblerje të paluajtshmërisë lidhur në mes të paditurve Sylë Agjaj dhe Muhamet Shoshaj, dhe të vërtetohet se ai është pronar i paluajtshmërisë.

Sipas padisë, paditësi ka qenë pronar faktik dhe juridik i ngastrave kadastrale me numër 00097/4 dhe 00097/5 në vendin e quajtur “Bregu”, zona kadastrale Kashicë në sipërfaqe prej 775 metra katrorë respektivisht 1 mijë metra katrorë.

Në padi thuhet se pasi që paditësi në vitin 1969-1974 ishte punësuar në Gjermani, për realizimin e shtesave të fëmijëve, ngastrat e lartcekura i ka përshkruar në emër të axhës së tij Bajram Agjaj me marrëveshje se kurdoherë, këto dy ngastra t’i kthehen në pronësi paditësit Muzli.

Tutje, në padi thuhet se Bajrami ka vdekur që më tepër se 30 vite dhe se i padituri i parë Sylë Agjaj ka qenë i vetëdijshëm se ngastrat nuk janë të tij, e që edhe përkundër këtij fakti i njëjti ka bërë shqyrtimin e trashëgimisë dhe paluajtshmërinë që ka qenë në emrin e babit të tij të ndjerë, e ka bartë në emrin e tij, dhe dy ngastrat e lartcekura në vend që t’i kthehen paditësit në posedim, ia ka shitur të paditurit të dytë Muhamet Shoshaj. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë