Ftohet gabimisht dëshmitari që s’ka të bëjë me gjykimin për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspekcionit

Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shtator 13, 2021

Pejë- Gjykata e Pejës e ka ftuar gabimisht dëshmitarin e Prokurorisë së Gjakovës, Visar Kelmendi, të dëshmojë në gjykimin për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspekcionit, Demë Dashi.

Dëshmitari në fjalë rezultoi se nuk ishte i njëjti që ishte propozuar të dëshmonte, edhe pse të dy kishin emrin e njëjtë.

“A keni objekt shumëbanesor”, e pyeti Visar Kelmendin prokurori Ali Uka.

Dëshmitari deklaroi se nuk kishte kurrfarë objekti banesor dhe se ishte ftuar gabimisht në seancë gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo unë nuk kam objekt shumëbanesor. Jam person i gabuar”, tha dëshmitari Kelmendi.

Më pas kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj konstatoi se personi i ftuar të dëshmojë ishte Visar Zenun Kelmendi, ndërsa dëshmitari i Prokurorisë quhej Visar Jahja Kelmendi dhe rrjedhimisht nuk ishte i njëjti person.

“Ju kërkojmë falje”, tha gjykatësja Kuka-Mekaj.

Ndryshe, kjo seancë gjyqësore, për shkak të ndërrimit të kryetarëve të trupit gjykues Sali Berisha dhe Lumturije Muhaxheri, është kthyer në pikën fillesatare dhe ka kaluar për gjykim te gjykatësja Nushe Kuke-Mekaj.

Në këtë seancë gjyqësore, u ftua të dëshmojë dëshmitari, Pashk Berisha i cili ishte inspektor i ndërtimit në Komunën e Pejës. Ai u ftua të dëshmojë në lidhje me rrethanat nëse Drejtori i Inspeksionit, Demë Dashi kishte lejuar mbindërtimet në Komunën e Pejës dhe nëse kishte patur kompentecë për rrënimin e këtyre objekteve.

Dëshmitari Berisha tha se inspektorët e ndërtimit kanë për kompetencë të nxjerrin vendime për rrënimin e objekteve pa leje, kurse pjesa e ekzekutimit të vendimeve për rrënim i takonte Drejtorit të Inspeksionit.

“Inspektori i ndërtimit e shkruan vendimin për rrënim, mirëpo e njoftojmë drejtorin për ndërmarrjen e veprimeve tjera”, tha Berisha.

Ai shtoi se i pandehuri Dashi, nuk kishte vepruar sipas kërkesave të inspektorëve për rrënimin e objekteve paleje.

Për këtë mosrrënimin e objekteve paleje, Berisha tha se e kishin njoftuar edhe kryetarin e Komunës së Pejës dhe Bordin e Drejtorëve, mirëpo as këta të fundit, sipas dëshmitarit nuk kishin marrë veprime.

“Drejtori i Inspeksionit nuk ka vepruar sipas kërkesave tona në asnjë rast dhe kërkesa është bartur tek Bordi dhe tek Kryetari i Komunës dhe nuk kemi marrë asnjëherë asnjë përgjigje nga zyrja e kryetarit “, tha Berisha

Dëshmitari shtoi se një ndër arsyet tjera për mosrrënimin e objekteve pa leje ishte edhe mungesa e kompanisë për rrënimin e këtyre objekteve.

Gjykimi vazhdoi me dëgjimin e ndërtuesit Agim Lokaj, i cili tha se kishte ndërtuar një objekt në vitin 2015 dhe për të njëjiën nuk e kishte respektuar lejen e ndërtimit.

Dëshmitari Lokaj deklaroi se kishte bërë mbindërtim, i cili asnjëherë nuk ishte rrënuar përveç gjobave të shqiptuara nga inspektorët.

Ai shtoi se në objektin e tij inspektorët nuk kishin lëshuar ndonjë vendim me shkrim për rrënimin e objektit pa leje.

Seanca e radhës pritet të vazhdojë nesër më 14 shtator 2021.

Ndryshe, gjykimi ndaj të pandehurit Dashi nuk ka përfunduar ende në shkallë të parë dhe rasti është kthyer në pikën fillestare për të dytën herë me radhë. E para pas pezullimit nga puna të ish-kryetarit të trupit gjykues, Sali Berisha, ndërsa herën e dytë pasi kjo lëndë ishte bartur tek ish-kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, e cila ka ndërruar jetë dhe tani rasti për gjykim ka kaluar tek trupi gjykues, i kryesuar nga Nushe Kuka-Mekaj, me anëtarë Arben Mustafaj dhe Musë Povataj.

Ish-drejtori i Inspekcionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, në seancën e 15 qershorit 2018, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, ish-kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë ka marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme.

Me këtë rast ishin përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda e ngritur më 27 mars 2018, ngarkon Demë Gashin se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumëbanesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv.

Me çka ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, për të cilin parashihet dënimi prej pesë muaj deri pesë vite burgim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.