Ftesën e të akuzuarit e pranon dikush tjetër, shtyhet gjykimi për tentim vjedhje në një garazh

Author

Raporton- Blerta BARKU

Shtator 13, 2021

Prishtinë- Në mungesë të të akuzuarit Besim Krasniqi, ftesën e të cilit e pranoi dikush tjetër, ka dështuar të mbahet seanca fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ai ngarkohet për tentim vjedhje në një garazh më 2012.

Gjykatësja Donika Shala-Abdyli konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimit fillestar.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Krasniqi, gjykatësja Shala-Abdyli tha se gjykata ka pranuar fletëkthesën sipas të cilës konstatohet që ftesën për të akuzuarin e ka pranuar dikush tjetër.

E pranishem në këtë seancë ishte prokurorja Ferdane Sylejmani, ndërsa seanca e radhës është shtyrë për kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2013, Besim Krasniqi akuzohet se në dhjetor të 2012-ës, në lagjen Dardania në Prishtinë, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, në mënyrë të kundërligjshme ka tentuar t’i vjedhë gjësende nga garazhi tani të dëmtuarit Skender Bushati.

Në aktakuzë thuhet se ai me forcë ka hapur derën e garazhës, ka depërtuar në brendi dhe ka përgatitur për vjedhje një gjenarator, një tester torbë me pajisje të peshkimit si dhe goma të veturës, ku është zënë në flagrancë nga i dëmtuari Bushati.

Për këtë, ai akuzohet ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë në tentativë” nga neni 253, pika 1, paragrafi 1, lidhur me nenin 20 të Kodit Pena, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet, sipas Kodit që ishte në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.