Fjala përfundimtare në rastin ku paditësi po kërkon kompensim dëmit në vlerë mbi 75 mijë euro për lëndim në punë

Raporton: Albina KRASNIQI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore, të premten është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku paditësi Isa Salahu ka kërkuar nga kompania “G3 Ixhiniering”, kompensimin e dëmit material dhe jo material në vlerë prej 75 mijë e 72 euro e 92, cent për lëndimet që ka pësuar gjatë orarit të punës.

Fillimisht gjykatësi Dardan Kadolli ka njoftuar se përmes procesverbalit të datës 3 dhjetor 2021 për paditësit Salahu ka qenë e ftuar përfaqësuesja e tij Emine Bajrami Statovci, mirëpo e njëjta mungesën e saj në këtë seancë nuk e ka arsyetuar.

Pas kësaj, përfaqësuesi i të paditurës avokati Arbër Shala ka propozuar që seanca të mbahet në mungesë të palës paditëse, propozim ky që u aprovua nga gjykatësi Kadolli ku edhe është bërë administrimi i provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, fjalën përfundimtare përfaqësuesi i të paditurës avokati Shala e ka dorëzuar me shkrim.

Në fjalën përfundimtare të të paditurës thuhet se paditësi në bazë të të thënave gjatë shqyrtimeve, parashtresave të dorëzuara me shkrim si dhe në bazë të provave të administruara në mënyrë të drejtë dhe të plotë është dëshmuar bazueshmëria e kërkesëpadisë dhe se është fakt i pamohueshëm që paditësi Salahu me datë 16 tetor  2017, është lënduar në vendin e punës.

Më tutje, në fjalën përfundimtare thuhet se kontestuese ka qenë fakti se sa ka qenë kontributi i paditësi dhe të paditurës me rastin e lëndimit në punë dhe se nga ekspertiza ka rezultuar se kontributi i paditësit në lëndimin e tij ka qenë 30%, dhe se fakti se paditësi i ka pasur mjete mbrojtëse në punë – helmetën është vërtetuar edhe me deklaratat e dëshmitarëve në seancën e datës 5 mars 2020 si dhe nga dokumenti për pranimin e pajisjeve të punës.

Gjithashtu në fjalën përfundimtare të dorëzuar nga avokati Shala thuhet se nga deklaratat e dëshmitarëve Selman Selmani, Qefser Ademi dhe Valon Shala në seancën e datës 5 mars 2020 është vërtetuar se pas lëndimit në punë kompania “G3 Inxhiniering” i ka dhënë familjarëve të paditësit Salahu shumën totale prej 1 mijë e 300 euro për mbulimin e shpenzimeve mjekësore.

Ndryshe, paditësi Salahu më 7 dhjetor 202,1 kishte bërë edhe precizimin e kërkesë padisë në aspektin objektiv, duke kërkuar kompensimin e dëmit material dhe jo material në vlerë prej 75 mijë e 72 euro e 92 cent, ndryshe nga padia ku kishte kërkaur 41 mijë e 500 euro.

Ndërkaq, në padinë e ushtruar më 3 janar 2018, thuhet se paditësi është në marrëdhënie pune me të paditurën N.SH.P. “G3 inxhinering” në pozitën si monter i elektros për kohë të pacaktuar.

Në padi thuhet se paditësi në kohën sa ishte duke punuar është goditur nga prapa me pjesën e kranit është rrëzuar për toke, me ç‘rast ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar fillimisht në spitalin rajonal “Isa Grezda”, Reparti i Emergjencës për ndihmë mjekësor, trajtim dhe shërim dhe më pas është transferuar në QKUK.

Tutje sipas padisë, paditësi ka vazhduar me trajtim edhe pas lëshimit nga QKUK dhe gjithashtu i është nënshtruar edhe kontrolleve mjekësore në psikiatri, i njëjti ka pësuar dhimbje të intensitetit posaçërisht të lartë dhe të intensiteteve të tjera, ka pësuar frikë, zvogëlim të aktivitetit të përgjithshëm jetësor, zvogëlim të aktivitetit të punës, shëmtim trupor, ka pasur nevojë për ushqim të përforcuar, ndihmë nga personat e tjerë, si dhe ka pasur shpenzime për rehabilitim dhe mjekim.

Mbi këtë bazë paditësi ka kërkuar nga gjykata që të obligohet e paditura kompania “ G3 Inxhiniering” që paditësit në emër të kompensimit të dëmit material dhe jo material t’ia paguaj shumën e përgjithshme prej 41 mijë e 500 euro me kamatë ligjore prej 12%, duke filluar nga dita e parashtrimit të padisë gjerë në pagesën përfundimtare.

Në anën tjetër, në përgjigjen në padi të dhënë më 15 shkurt 2019, e paditura nuk e ka kontestuar bazën faktin se ditën kritike paditësi ka pësuar lëndime trupore gjatë kohës sa ka qenë duke kryer punët për nevoja të punëdhënësit, mirëpo e konteston nga kujdesi përgjegjësinë e të paditurës si dhe e konteston lartësinë e kërkesëpadisë, sepse me prova material nuk vërtetohet në mënyrë të plotë dhe të drejtë se e paditura mban përgjegjësi dhe është fajtore për lëndimet e pësuara.

Në përgjigjen në padi tutje thuhet se e paditura nuk është përgjegjëse për dëmet që ka pësuar paditësi Salahu duke shtuar se i është përmbajt detyrimit të saj për të gjitha mjetet mbrojtëse dhe ka propozuar si dëshmitar okular Qefser Ademin, Arlind Kaqurin, Selim Murtezin, Selman Selmanin, që të gjithë punëtor te e paditura.

Sipas përgjigjes në padi, e paditur i ka dhënë paditësit shumën prej 2 mijë euro si dhe gjatë periudhës s a ka qenë i pa aftë për punë  i ka paguar për çdo muaj shumën prej 400 euro, e gjithë kjo në prezencë të punëtorëve Selman Selmani, Valon Shala, Qerim Hoti dhe nëse ky fakt mohohet nga paditësi Salahu, atëherë e paditura do të propozoi të njëjtit si dëshmitar. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë