Fillon rishtazi gjykimi në rastin ku Enes Goga ka paditur për shpifje dhe fyerje, portalin “Express”, gazetën “Zëri” dhe gazetën “Bota Sot”

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar rishtazi gjykimi në rastin ku ish-kryeimami i Bashkësisë Islame në Pejë, Enes Goga, ka paditur për shpifje dhe fyerje, Visar Duriqin, portalin “Express”, Gazetën “Zëri” dhe Gazetën “Bota Sot”, duke kërkuar 10 mijë euro kompensim dëmi.

Fillimisht gjykatësja Rezarta Sylejmani-Voca ka njoftuar se për të paditurën Gazeta “Bota Sot” nuk ka prezantuar askush, raporton ”Betimi për Drejtësi”.

Sipas fletëdergesës së kthyer ka rezultuar se në adresën ku është bërë dorëzimi edhe në seancat e kaluara rezulton se për të paditurën Gazeta “Bota Sot” nuk prezenton askush pasi që botimi i kësaj gazete është ndalur.

Ndërsa prezent ishin paditësi Gogaj dhe përfaqësuesit e tij avokati Durim Osmani dhe avokati Feim Alaj, përfaqësuesja e të paditurve Duriqi dhe portali “Express”, avokatja Gerta Ragipi e edhe përfaqësuesja e Gazetës “Zëri”, avokatja Iliriana Osmani-Sereqi.

Gjykata ka obliguar paditësin Goga që në afat prej tri ditësh të siguroj adresën e saktë për të paditurën Gazeta “Bota Sot”, ose të propozoj përfaqësues të përkohshëm nën kërcënimin e pasojave ligjore.

Po ashtu ka obliguar të paditurin që parashtresën e dërguar më 17 korrik 2017 t’ia përcjell NB “Media Words” në shkresat e lëndës.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje juridike do caktohet pas dërgimit të shkresave gjyqësore.

Ndaj gazetarit, Visar Duriqi dhe portalit “Express, Enes Goga ka ushtruar edhe një padi tjetër me 21 janar 2016, lidhur me artikullin e botuar “Djegia e paralajmëruar e tyrbes në Pejë natën e sulmeve në Paris”. Lidhur me këtë rast është mbajtur fjala përfundimtare tek gjyqtari Dren Rogova.

Sipas parashtresës së 17 korrikut 2017 paditësi Enes Goga ka rregulluar padinë ashtu që e paditura e dytë është N.B “Media Words” si pronar i të drejtave autoriale të portalit “Express”, si e paditura e tretë NBB “Zëri” sh.p.k. Duke rregulluar dhe vlerën e kontestit 10 mijë euro.

Ndryshe, sipas padisë së 10 dhjetorit 2014, Enes Goga ka ushtruar padi për shpifje dhe fyerje ndaj Visar Duriqit, Portalit “Express”, Gazeta “Zëri”, Gazeta “Bota Sot”, për çka edhe po kërkon kompensim të dëmit moral.

Sipas padisë thuhet se, i padituri  Duriqi, ka publikuar një shkrim në faqen zyrtare të Gazetës “Express”, me titullin “Merrni seriozisht wahabistët shqiptarë”, si dhe titullin “Inteligjenca ndërkombëtare: Wahabistët e Pejës merreshin me haraç e drogë – kishin dhe kampe rekrutimi”.

Tutje sipas padisë, Gazeta Express ka publikuar më 7 tetor 2014 titullin “Nëna e krye-imamit radikal, Enes Goga pa mbulesë”, ndërsa në 16 gusht 2014, ka publikuar lajmin me titull, “Kryeimami i Pejës takim privat me të arrestuarin për terrorizëm Muhamed Hajrizin” dhe me 25 gusht të po këtij viti edhe shkrimin me titull “Enes Goga; Harrojeni Islamin tradicional”.

Lidhur me sipër, në padi thuhet edhe se Gazeta “Zëri” në faqen zyrtare të saj ka publikuar një shkrim me titull “Enes Goga si sheik në xhamin e Devollëve” ndërsa, Gazeta “Bota Sot” kishte publikuar shkrimin e njëjtë “Enes Goga; Harrojeni Islamin tradicional”, të gjitha këto sipas paditësit janë shkrime nxitëse kundër tij.

Andaj mbi këtë bazë lidhur me këto shkrime e artikuj të ndryshëm, paditësi Goga kërkon nga gjykata që ta aprovoj si të bazuar padinë ndaj të paditurve si dhe të detyrohen të njëjtit që  t’i kompensojnë dëmin jomaterial, kjo duke bazuar në Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë