Fillon rishtazi gjykimi dhe bëhet plotësimi i procedurës së provave në rastin “Stenta 2”

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Gjykimi për rastin e njohur si “Stenta 2” ka filluar rishtazi në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe janë bërë propozime të reja për plotësimin e procedurës së provave nga të akuzuarit.

Kjo pasi që fillimisht, gjykatësja Shadije Gërguri ka bërë të ditur se nga seanca e fundit kanë kaluar më shumë se tre muaj, andaj gjykimi për këtë çështje fillon rishtazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, prokurorja e rastit Florije Salihu-Shamolli ka propozuar që gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani të konstatohen të lexuara.

Provat materiale u lexuan nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Gërguri.

Në anën tjetër, mbrojtësit dhe të akuzuarit janë pajtuar me vendimin e marrë nga trupi gjykues në seancën e kaluar lidhur me dëshmitarët dhe provat materiale që janë administruar deri më tani.

Andaj, seanca ka vazhduar me fazën e plotësimit të provave, duke vendosur lidhur me propozimet e parashtruara dhe të dorëzuara nga ana e avokatëve dhe të akuzuarve.

Në këtë seancë, i akuzuari Lulzim Kamberi ka propozuar që procedura e provave të plotësohet me statutin e QKUK-së, të cilën provë nuk e ka kundërshtuar prokurorja e rastit, e cila më pas është aprovuar nga ana e gjykatës.

Po ashtu, gjykata ka aprovuar edhe propozimin e të akuzuarit Agim Krasniqi që procedura e provave të plotësohet me letrën rekomanduese nga komisioni konsular që është rekomanduar për pacientë mjekimi jashtë vendi dhe refuzimi nga ana e komisionit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në vazhdim, është aprovuar edhe propozimi për dëgjim të dy ish-drejtorëve të SHSKUK-së, propozim i bërë nga i akuzuari Gani Bajraktari dhe i përkrahur edhe nga të akuzuarit tjerë.

Andaj, në seancën e radhës pritet të fillohet me dëgjimin e ish-drejtorëve Curr Gjocaj dhe Njazi Gashi, në cilësi të dëshmitarëve.

Paraprakisht, në këtë seancë pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, të akuzuarit kanë deklaruar se kanë qëndrim të njëjtë për deklarimin e fajësisë, duke e konsideruar veten të gjithë të pafajshëm.

Tutje, sikurse prokurorja Salihu–Shamolli, edhe të akuzuarit tjerë kanë qëndruar në tërësi pranë fjalës hyrëse të deklaruar në shqyrtimin e mëparshëm.

Plotësim të fjalës hyrëse bëri i akuzuari Bajraktari, duke thënë se sipas Ligjit për Shëndetësi, konkretisht nenit 41 të tij, referimi i pacientëve në institucione private nuk është vepër penale, duke shtuar se kjo veprimtari sipas këtij ligji sanksionohet me kundërvajtje dhe marrje licence me nenin 94 të të njëjtit ligj.

Bajraktari deklaroi se e cilëson këtë çështje si gabim skandaloz të prokurorisë, duke kërkuar që për ekonomizim dhe mosshpenzim të parasë publike, të vendoset për hudhje të aktakuzës.

Po ashtu, edhe i akuzuari Kamberi ka plotësuar fjalën hyrëse të tij, duke përmendur të njëjtën çështje sikurse i akuzuari Bajraktari, duke thënë se ai ka vepruar gjithnjë sipas statutit të QKUK-së dhe Ligjit për Shëndetësi.

Kamberi tha se ky ligj në nenin 41 rregullon parandalimin e konfliktit të interesit, ndërsa sipas tij, nëse shkelet ky nen, parashihet sanksioni përmes nenit 94, ku përcaktohet fillimisht dënimi i institucionit, i përgjegjësit të institucionit dhe së fundi dënimi i mjekut, e që kjo sipas Kamberit quhet kundërvajtje dhe jo vepër penale.

E për këtë, ai tha se pret përgjigje nga prokuroria pasi që i njëjti thotë se ka pësuar shumë dëm në të gjitha aspektet.

Kurse , i akuzuari Nebih Musliu ka thënë se dëshiron të ritheksojë kërkesën e tij të bërë edhe para tri viteve, ashtu që gjatë shqyrtimit gjyqësor të jetë prezent një jurist i QKUK-së, ashtu që të interpretojë ligjet dhe rregullores e punës që ata kanë punuar me vite.

Ndryshe, nga ana e të akuzuarit Kamberi dhe Bajraktari ka pasur vërejtje në procesverbalin e seancës së kaluar.

Kurse, seancat e radhës në këtë rast janë caktuar për 25 janar 2022, si dhe 10, 15 e 21 shkurt 2022.

Seancat e fundit ishin mbajtur më 7 dhe 8 korrik 2021, derisa ishin shtyrë dy seancat e parapara më 20 dhe 21 shtator, për shkak të masave anti- COVID.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur të akuzuarit Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Për gjashtë prej tyre, përkatësisht për të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, Nexhmi Zeqiri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi dhe Murat Abazi, për shkaqe shëndetësore, procedura është veçuar, ashtu që tanimë ata po gjykohen veçmas nga të akuzuarit tjerë.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Aktakuza thotë se një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4 milionë e 555 mijë e 553 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronarë e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik. Mirëpo, për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë