FILLON RIGJYKIMI PËR NJËRIN PREJ MASHTRIMEVE NDAJ INSTITUCIONIT MIKROFINANCIAR FINCA

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, ka filluar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Anton Vuçaj, Vjollca Kabashi dhe Bajram Kryeziu, të cilët ngarkohen nga prokuroria se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumentit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, duke i shkaktuar dëm institucionit mikrofinanciar “Finca”, në vlerë rreth 1 milion euro.

Në këtë seancë kanë dëshmuar dëshmitarët e propozuar nga organi i akuzës, letërnjoftimet e të cilëve ishin përdorur për mashtrimin në fjalë, duke i ngarkuar ata si garantues të kredive.

Dëshmitari  Mërgim Morina, para trupi gjykues, ndër të tjera, tha se gjatë viteve 2006-2007, nuk kishte aplikuar asnjëherë për kredi në Institucionin Financiar “FINCA”, por se në vitin 2007, ishte thirrur nga “Finca” dhe atij i kishin treguar se Besim Gashi, kishte marrë kredi dhe si garantues të kredisë e kishte bërë atë, me këtë rast ai u kishte sqaruar atyre se nuk ka hyrë si garantues dhe se nënshkrimi nuk është i tij. Sipas tij, Besim Gashi ia kishte kërkuar letërnjoftimin atij me arsye se dëshiron ta regjistrojë një automjet dhe ky ia kishte dhënë, duke thënë se e kishte mashtruar, për të marrë kredi.

Dëshmitari tjetër, Jeton Qunaj, në mes tjerash ka thënë se ai nuk kishte aplikuar për kredi në “Finca”, por familjarët e kishin njoftuar se zyrtarët e këtij subjekti kishin qenë në shtëpi për një borxh që ky ua kishte atyre. Më tej ka shtuar se ka shkuar në zyrat e Finca-s ku ishte njoftuar se kishte mbetur pa paguar edhe 350 euro, nga kredia e tij prej 1000 euro, ndërsa ky i kishte shpjeguar atyre se nuk i paguan sepse asnjëherë nuk ka marrë kredi. Më tutje ka theksuar se kopjet e letërnjoftimit ia kishte dhënë një shokut të tij të shkollës së mesme dhe se më nuk e ka takuar atë.

Poashtu dëshmitari, Rrustem Mazreku, ka dëshmuar se si kishte aplikuar për kredi në “Finca” dhe se në të njëjtën ditë e kishte thirrur komshiu i tij, Besim Gashi dhe i kishte thënë që të mos e merrte kredinë sepse ishte me rrezik dhe me këtë rast. Sipas tij, Besimi ia kishte dhënë Antonin në telefon për të biseduar dhe i njëjti i kishte thënë që të mos merrte kredi sepse ishte bankë e rrezikshme dhe do të kishte problem me pagesa, andaj nga këshillat e tyre ai kishte hequr dorë nga ajo kredi. Më tej ka deklaruar se mashtrimin e ka kuptuar kur i kishte shkuar në shtëpi, një zyrtar nga Finca i cili ia kishte kërkuar nënshkrimin për të verifikuar nëse ky kishte marrë kredi.

Ndërsa dëshmitari Liberan Qollaku ka thënë se kishte shkuar së bashku me Besimin, që mbiemrin nuk ia dinte, tek një lokal ku ishte banka “Finca” dhe kishte nënshkruar një kredi prej 800 euro, në cilësinë e garantuesit, por se ai vetëm kishte nënshkruar dokumentet ku i kishin thënë dhe se nuk i kishte lexuar ato.

 

Dëshmitari Afrim Gashi ka deklaruar se gjatë viteve 2006-2007, nuk kishte aplikuar për kredi por se një shok i tij, ia kishte kërkuar letërnjoftimin për të marrë një kredi, pasi ky ia kishte dhënë letërnjoftimin dhe kishte nënshkruar një dokument, ai ia ka dhënë 10 euro si bakshish. Më tej ka shtuar se më vonë i kishin shkuar zyrtarët e bankës në fjalë, për të kërkuar borxhin prej 800 euro, ndërsa ky u kishte thënë atyre se nuk ka marrë kredi asnjëherë.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe zyrtari i lartë i asaj kohe në “Finca”, Engyl Pallusha, i cili ka deklaruar se gjatë periudhës, për të cilën flet aktakuza, Anton Vuqaj ka qenë menaxher i degës së Finca-s në Malishevë, ndërsa Vjollca Kabashi si nëpunëse në këtë degë, sipas tij, Vjollca ka pasur për detyrë të gjejë klientë dhe të propozojë që atyre t’u jepet kredia dhe se parregullsitë janë dalë në pah me rastin e vonesave të pagesave nga kredimarrësit, me këtë rast kanë dalë për të inspektuar kreditorët në shtëpi dhe kanë kuptuar se një person ka marrë kredi në emër të personave tjerë duke shfrytëzuar kreditë grupore dhe me këtë rast kanë përjashtuar nga puna Anton Vuçajn dhe Vjollca Kabashin.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, për shkak të përfundimit të orarit të punës, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për datën 23.05.2016, në ora 10:00.

Më 16 qershor 2008, ish-Prokuroria Publike e Qarkut e asaj kohe, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Anton Vuqaj, Vjollca Kabashi dhe Bajram Kryeziu, me të cilën i akuzon se duke punuar në institucionin mikrofinanciar “Finca”, kanë realizuar të ardhura pasurore të kundërligjshme, në vlerë prej 900 mijë euro, me ç’rast kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, me anë të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë