FILLON RIGJYKIMI NDAJ PESË TË AKUZUARËVE PËR KORRUPSION NË SPITALIN RAJONAL TË FERIZAJIT

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj  –  Të hënën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Ejup Elezi, Sahit Mecini për veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit në bashkëkryerje”  si dhe ndaj të akuzuarve Sami Malsiu, Fadil Goga dhe Ismail Dërguti të cilët akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”. Shqyrtimi i së hënës është mbajtur pas kthimit të lëndës nga Gjykata e Apelit, për rishqyrtim.

Lidhur me fajësinë sërish pesë të akuzuarit në këtë shqyrtim deklaruan se nuk ndihen fajtor për veprat penale që u ngarkohen  sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Trupi gjykues në këtë shqyrtim sipas sygjerimeve të dhëna nga Gjykata e Apelit mori aktvendim që në shqyrtim gjyqësor të rradhës të prezentojnë dy ekspertë, dhe atë një ekspert të ndërtimtarisë dhe një ekspert financiar.

Seanca e rradhës, nuk u caktua për ndonjë datë konkrete pasi që trupi gjykues konstatoi se duhet të  sigurohen ekspertizat e ekspertëve të caktuar.

Sipas pikës 1 të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Ejup Elezi, dhe Sahit Mecini akuzohen se më 14 tetor 2011 në Ferizaj me qëllim të përfitimit  të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit për personat e tjerë kanë shpërdorur detyrat zyrtare , ku i akuzuari Ejup Elezi në cilësinë e pozitës – shef i prokurorimit në Spitalin Rajonal të Ferizajit , ndërsa i akuzuari Sahit Mecini pronar i ndërmarrjes NTP “Termo Com” kanë përfituar para në vlerë prej tetë mijë (8000) euro duke dëmtuar  buxhetin e Spitalit Rajonal në Ferizaj në atë mënyrë që i pandehuri Ejup Elezi ka formuar komisionin prej tre anëtarëve , në përberje Sami Malsiu, Fadil Goga dhe Ismail Dërguti për pranimin e punëve si anëtar të komisionit, të cilët nuk kanë qenë kompetent dhe profesional në këtë lëmi , të njejtit kanë qenë zyrtar të këtij institucioni dhe kanë nënshkruar vendimin për pranimin e punëve në të gjitha Repartet e Spitalit në Ferizaj lidhur me tenderin për riparimin  dhe mirëmbajtjen spitalore,  ku kanë bërë pranimin teknik me vendim numër 017/11 për operatorin ekonomik –fitues i tenderit NTP. “Termo Com” me seli në Prishtinë, dhe nga ky  vlerësim joreal i akuzuari Ejup Elezi ka bërë pagesën operatorit ekonomik të lartëcekur, i cili ka përfituar shumën në vlerë prej 19.926.70 euro, kurse sipas raportit vlerësues me numër 017/11 vlera reale e punëve të kryera ka qenë 1.073.71 euro me çka kanë dëmtuar buxhetin e Spitalit Rajonal në Ferizaj në shumën prej 8,852,9 euro.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, Sami Malsiu, Fadil Goga dhe Ismail Dërguti akuzohen se më 29 shtator 2011 në Spitalin Rajonal në Ferizaj, në cilësinë e personave zyrtar, si anëtarë të komisionit për pranimin e punëve për përfituesin e tenderit Riparimi- Mirëmbajta spitalore, në dokumentin zyrtar vendimin për pranimin e punëve, me numër të protokollit 017/11 me nënshkrimin e tyre kanë mundësuar përpilimin e këtij vendimi i cili përmban të dhëna të pavërteta lidhur me punët e kryera në spital,ku vlera e punimeve vlerësohet në shumën prej 19.926.70 euro, kurse vlera reale e punëve të kryera është 11.073.71 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë