Fillon marrja në pyetje e “dëshmitarit 2” në rastin e njohur “Pronat” ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë – Më shumë se shtatë orë ka zgjatur marrja në pyetje e dëshmitarit të njohur si “Dëshmitari 2” nga prokurori i Eulexit Danilo Cecarelli, në rastin e njohur “Pronat” ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve.  Përgjatë kësaj seance të mundësisë së veçante hetuese, të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori ka arritur që të përfundojë marrjen në pyetje të dëshmitarit, i cili njëherësh është dëshmitari i  fundit i mbrojtur në këtë rast.

Mbrojtësi i ish-deputetit të PDK-së Azem Syla, avokati Tomë Gashi, për “Betimi për Drejtësi” bëri të ditur se janë caktuar edhe 3 seanca të tjera, dhe me këtë përfundojnë hetimet në këtë rast. “Në seancën e radhës ka mbetur që të filloj marrjen në pyetje unë si mbrojtësi i të akuzuarit Azem Syla, që besoj se do të zgjasë njëjtë sikurse seanca sot, dhe pas meje natyrisht edhe klineti im nëse ka pyetje shtesë”, deklaroi ai.

Marrjen në pyetje të këtyre dy dëshmitarëve të mbrojtur në këtë fazë, avokati Gashi e konsideron si tejet të rëndësishme. “Arsyeja kryesore është se në bazë të dispozitave ligjore, dëshmitarët e mbrojtur të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre në fazën e hetimeve, kanë mundësi të mos vijnë fare për të dëshmuar përsëri në gjykatë. E them këtë pasi prokurori është deklaruar se do të ngritë  aktakuzë për këtë rast”, u shpreh ai.

Kjo seancë fillimisht ishte paraparë të mbahet një ditë më parë, mirëpo mos prezenca e dëshmitarit në gjykatë ka bërë që e njëjta të shtyhet. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 28 shtator në ora 09:30.

Ish-deputeti Azem Syla dhe të tjerët  dyshohet se e  kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për 30 milionë euro.

Listës së të dyshuarve për krim të organizuar i prin Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Arton Vila, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla, Driton Hajdari, Nuhi Uka – ish kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Sabedin Haxhiu – kryeshef i ndërmarrjes publike banesore, avokatët Avni Maxhuni, Eduar Gashi, Mexhid Syla, dhe Gazmend Gashi.

Në këtë listë janë edhe Ramadan Uka – inxhinier, Avdyrrahman Brashori, Tefik Uka – zyrtar në Gjykatën Komunale të Prishtinës, Biserka Adianqiq – zyrtare certifikuese në Gjykatën Komunale të Prishtinës, dega në Graçanicë, Miliana Vlasaqeviq – zyrtare certifikuese në Gjykatën Komunale të Gracanicës, Lubisha Vujoviq, Aleksandër Bllagojeviq – polic i Kosovës, Vidosav Novakoviq – ish-polic i Serbisë, Bozhidar Lekiq, Dragan Maksimoviq, Shqipe Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Sami Maqedonci, Mustafë Haliti, Sali Bivolaku, Idriz Buza, Nyrtene Brajshori, Enver Çoçaj, Visar Ahmeti, Samir Haxhimusaj, Ndue Palushi, Shkelqim Latifaj, Jusuf Lataj, Agron Haxhosaj, Xhevahir Begolli, Nadir Shantir, Muharrem Kadriu, Ramadan Mavraj, Raif Hajdini, Valdet Shaqiri, Skender Potera, Arsim Hasani, Kujtim Bucaliu, Baki Abdullahu, Haki Hyseni, Jeton Govori si  dhe Besnik Rexha.

Gjatë aksionit të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës për arrestimin e këtyre personave ishte bërë bastisja e rreth 40 lokacioneve të ndryshme.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë