Fillon intervistimi i kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Komerciale

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të mërkurën ka filluar intervistimi  i gjyqtarëve të cilët kanë kandiduar për në pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Komerciale të shkallës së parë të Kosovës.

Më 04 mars 2022, KGJK ka shpallur konkursin e brendshëm për nëntë pozita të lira për gjyqtar në Gjykatën Komerciale të shkallës së parë të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këto pozita kanë kandiduar 11 gjyqtarë të Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës, mirëpo pas publikimit të listës përfundimtare të kandidatëve që i plotësojnë kushtet për t’iu nënshtruar procesit të intervistimit, dy prej tyre janë tërhequr nga kjo garë.

Gjyqtarët Alajdin Tërshnjaku dhe Arnis Dumani, janë intervistuar fillimisht nga paneli për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidateve, i përbërë nga kryetari i Gjykatës Komerciale/kryetar i panelit, Mahir Tutuli,  zëvendëskryesuesi i KGJK-së/anëtari i panelit, Qerim Ademaj,  anëtarja e KGJK-së/anëtarja e panelit, Drita Rexhaj,  anëtarja e KGJK-së/anëtarja e panelit, Teuta Ibrahimi dhe gjyqtari i Gjykatës Supreme/anëtari i panelit, Nenad Lazic.

Kurse, nga i njëjti panel në këtë ditë, përveç që anëtarja Ibrahimi është zëvendësuar me anëtarin e KGJK-së/anëtar i panelit, Fahret Velija, janë intervistuar edhe gjyqtarët Gent Bekeri, Fatos Sejdijaj dhe Fisnik Nuli.

Ndryshe, për këtë pozitë gjatë ditës së nesërme pritet të intervistohen edhe gjyqtarët Hasan Kryeziu, Rexhep Gashi, Verona Dibra dhe Vlora Pacolli.

Ndërsa, gjyqtarët të cilët deri më tani janë tërhequr nga gara janë Bajram Miftari dhe Përparim Zeka./BetimipërDrejtësi

Shënim: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka monitoruar procesin e intervistimit dhe do të vazhdojë ta monitorojë deri në fazën finale.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë