FILLON GJYKIMI NDAJ SHAIP BUDURIT DHE NEXHAT ÇOÇAJT PËR PUNËSIM TË PALIGJSHËM

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, ka filluar gjykimi ndaj të akuzuarve Shaip Buduri dhe Nexhat Çoçaj, të cilët akuzohen nga prokuroria, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, me rastin e punësimit, pa konkurs, të profesorit Besnik Krasniqi, në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren.

Të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale, me të cilën i ngarkon aktakuza andaj është shkuar në procedurë të provave, me ç’rast kanë dëshmuar dy dëshmitarë.

Prokurori i çështjes, Bajram Hamitaga, në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se me provat që do t’i administroi trupi gjykues, do të vërtetohet përgjegjësia penalo-juridike e të akuzuarve, për veprën penale me të cilën ngarkohen.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shaip Buduri, avokati Esat Gutaj, në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se pas administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre nga trupi gjykues, është i bindur se i mbrojturi i tij do të lirohet nga akuza në mungesë të provave. Më tej ka theksuar se i mbrojturi i tij nuk ka përfituar të mira materiale nga profesori i punësuar dhe se askund nuk shkruan se nuk bën të merret në punë vëllai i bashkëshortes.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Çoçaj, avokati Rexhep Hasani, në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se nuk është kontestuese se profesori ka krijuar marrëdhënie pune pa konkurs nga ana e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, por duke u bazuar në nenin nëntë të Udhëzimit Administrativ 09/14 të MASHT-it, në të cilin sipas tij thuhet se duhet të sistemohet profesori Besnik Krasniqi, në vendin e punës ku ka qenë para se me u zgjedh në vendin  drejtorit.

Dëshmitari, Beqir Letaj, zëvendës drejtor në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, ka deklaruar se ai e ka parë profesorin duke dhënë mësim në gjimnaz, nuk është informuar se si ka hyrë në punë pasi që sipas tij profesori ka qenë mësimdhënës në këtë institucion për një kohë shumë të gjatë dhe është larguar për tu bërë drejtor në një shkollë tjetër e gjithashtu sipas tij zëvendës drejtorëve dhe drejtorëve, sipas udhëzimeve administrative, u ruhen vendet e punës.

Dëshmitari Besnik Krasniqi, profesor në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, ka deklaruar se marrëveshje me shkrim nuk ka pasur për tu kthyer në vendin  e tij të punës, por se ai ka njoftuar Zyrën e Arsimit Special në kuadër të MASHT-it se do të largohet nga vendi i punës si drejtor në shkollën speciale “Nëna Terezë” dhe se ka pritur të dalë në pension profesori i lëndës “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe”, Sabri Bresa, që të kthehet në vendin e punës.

Ky dëshmitar, më tej ka shtuar se ka biseduar me të akuzuarin Nexhat Çoçaj, të cilit i ka treguar se dëshiron të tërhiqet si drejtor dhe të kthehet në gjimnaz si profesor, sipas tij pas një ‘debati të nxehtë’ me drejtorin Çoçaj nëse bën apo nuk bën të bëhet kjo punë, ky i fundit i kishte thënë “ndash shko, ndash mos shko, bën çka të duash” të cilat ‘fjalë’ profesori i kishte marrë si miratim. Më tej ka theksuar se kur e ka takuar drejtorin e gjimnazit, i kishte thënë se e ka lejen me gojë nga drejtori i DKA-së dhe një rekomandim nga MASHT-i, për të mbajtur orët mësimore. Për këto orë mësimore nuk ishte paguar, për katër muaj, aq sa kishte mbajtur postin e drejtorit në shkollën speciale “Nëna Terezë” në Prizren.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, kryetarja e trupit gjykues, Ajsere Skenderi, ka marrë aktvendim me të cilin e ka ndërprerë shqyrtimin dhe të njëjtin e ka caktuar për 13 prill 2016, në ora 13:00, në të cilin pritet të japin mbrojtjen, të akuzuarit.

Më 25 gusht 2015, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj akuzuarve Shaip Buduri dhe Nexhat Çoçaj, me të cilën, i akuzon se kanë përdorur pozitat zyrtare, për të përfituar të mira material për personin tjetër, në mënyrë të paligjshme, duke punësuar një person të afërt, brenda institucionit arsimor, pa shpallur konkurs. Me këto veprime kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë