Fillon gjykimi ndaj gjykatësit dhe avokatit që e shpallën të vdekur për së gjalli Rrahim Bajramin

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Ish-gjykatësi Sami Gërdovci dhe ish-avokatit Miriman Vehapi janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

I akuzuari Vehapi tha para trupit gjykues se materialisht është akoma më i dëmtuar se edhe vet i dëmtuari në këtë rast, Rrahim Bajrami. Për këtë tha se do të ofrojë prova kur të vijë koha gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Prokurorja Ikramije Bojaxhiu tha se në këtë rast është duke përfaqësuar një aktakuzë të ngritur nga ish-Prokuroria Komunale e Prizrenit, e cila ishte dërguar njëherë në Gjykatën e Gjilanit dhe krejt në fund është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Me kërkesë të mbrojtjes dhe të palës së dëmtuar, Bojaxhiu tha se shumë shpejtë do t’i kërkojë të gjitha shkresat e lëndës nga Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe eventualisht nga ajo Gjilanit, nëse ka mbetur ndonjë material i lëndës.

Seanca e dytë për këtë proces gjyqësor, të udhëhequr nga gjykatësi Elmaz Zenuni, pritet të mbahet më 19 tetor 2016, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës të ngritur nga ish-Prokuroria Komunale në Prizren, i pandehuri Sami Gërdovci, si gjyqtar ekzekutues në Gjykatën Komunale në Prizren ka kryer veprën penale “nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore”. Ndërkaq, i pandehuri tjetër Miriman Vehapi, në cilësi të avokatit ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i besimit”.|

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se Sami Gërdovci, në cilësi të gjyqtarit kishte marrë vendime të kundërligjshme gjyqësore, me të cilat kishte aprovuar propozimet e avokatit Vehapi, si i autorizuar i të paditurit në një çështje kontestimore, Budimir Steviq. Në këtë mënyrë kishte abroguar masën e përkohshme të caktuar me aktvendim në bazë të propozimit të paditësit Rrahim Bajrami. Këto veprime ishin aprovuar duke u bazuar në kërkesën gojore të avokatit Vehapi, me arsyetimin se i dëmtuari Rrahim Bajrami kishte vdekur. Sipas aktakuzës, gjyqtari duke mos vërtetuar me asnjë provë relevante vdekjen e Rrahim Bajramit, e kishte shfuqizuar aktvendimin mbi caktimin e masës së përkohshme, duke e marr si të tillë një vendim të kundërligjshëm gjyqësor. Ndërkaq në dispozitivin e dytë thuhet se konstatimi i avokatit se paditësi në atë çështje kontestimore kishte vdekur, ishte bërë në zyrën e gjyqtarit Gërdovci. E gjithë kjo, sipas aktakuzës, është bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, të dobisë pasurore për të pandehurin Vehapi, dhe shkaktimin e dëmit për personin tjetër, Rrahim Bajrami.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë