FILLON GJYKIMI NDAJ DREJTORIT DHE KËSHILLIT TË SHKOLLËS EKONOMIKE NË PRIZREN PËR DALLAVERET ME EKSKURSIONE

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, ka filluar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Ismail Berisha, Reshat Etemi, Igball Misini, Hatim Mehmeti, Selajdin Badalli, Serevet Berisha, Shefkat Shaipi, Nimete Ahmetaj dhe Vahid Halimi, të cilët akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, me rastin e përzgjedhjes së kompanisë, për ekskursion në Shqipëri, të nxënësve të Shkollës së Mesme Ekonomike “Ymer Prizreni” në Prizren.

Prokurori i çështjes, Bajram Hamitaga, ka lexuar aktakuzën dhe të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë. Me k=t= rast, seanca ka vazhduar me procedurën e provave ku prokurori në fjalën e tij hyrëse ka shprehur besimin se me administrimin e provave gjatë shqyrtimit me padyshim do të dëshmohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen me aktakuzë. Por të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, që të gjithë kanë kundërshtuar aktakuzën dhe kanë thënë se nuk e kanë favorizuar asnjë kompani për ekskursionin që bën fjalë aktakuza dhe se veprimet e tyre kanë qenë në pajtim me ligjet pozitive.

Në këtë seancë, në cilësi të palës së dëmtuar, ka dëshmuar Ekrem Veselaj, përfaqësues i kompanisë turistike “Shpejtimi Reisen”, i cili ndër të tjera ka thënë se ata si kompani kanë qenë më të favorshëm në këtë tender, duke ofruar çmimin prej 23 euro dallim prej ofertës fituese, kushtet shumë më të mira dhe me referencë pozitive prej vet shkollës, ka shtuar se krejt këto e kanë bërë të dyshojë se ka qenë interes i drejtorit dhe kryetarit të këshillit që të favorizohet operatori fitues, ndërsa për pjesën tjetër të anëtarëve të këshillit që janë të akuzuar ka thënë se janë vetëm viktima të rastit.

Kryetarja e turpit gjykues, Ajser Skenderi, ka ndërprerë shqyrtimin dhe të njëjtin e ka caktuar për 19 dhe 20 maj 2016, në ora 09:00, në të cilat seanca pritet të dëshmojë Nexhat Çoçaj, si Drejtor i DKA-së në Prizren dhe të merren në pyetje të akuzuarit.

Më 16 shtator 2013, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë me të cilën i akuzon të pandehurit se në bashkëpunim kanë keqpërdorur pozitën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në atë mënyrë që duke qenë anëtarë të këshillit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Ymer Prizreni” në Prizren, me rastin e përzgjedhjes së operatorit fitues për ekskursionin e nxënësve për në Shqipëri, kanë favorizuar një kompani që ka qenë ma e shtrenjtë dhe me këtë rast i kanë shkaktuar dëm operatorëve tjerë konkurrues dhe nxënësve në shumë prej 23 euro për secilin.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë